spot_img
Friday, November 8, 2024
spot_img

Çka u pa në tubimin e LDK-së, ku Abdixhiku tregoi kandidatët për deputetë nga Prishtina?

Lidhja Demokratike e Kosovës dje e hapi “zyrtarisht” parafushatën elektorale, duke mbajtur një takim me goxha shumë njerëz në Prishtinë. Në këtë tubim, përveç që mblodhi njerëz të shumtë, LDK-ja u pa e përbashkuar, pasi shumica e figurave të rëndësishme të saj ishin pjesëmarrëse. Po ashtu, në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga Prishtina. Çka u pa në nisjen e parafushatës së LDK-së?

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ishte njëri nga njerëzit që mbajti fjalë në këtë tubim në Prishtinë. Krahas tij, në takimin e LDK-së folën edhe deputetet e kësaj partie, Hykmete Bajrami e Doarsa Kica Xhelili. Natyrisht, kritikat ndaj Qeverisë nuk munguan.

Megjithatë, së pari le të ndalemi tek emrat nga Prishtina që i kandidoi LDK-ja. Ai që ra në sy ishte numri i madh i kandidatëve, por më i rëndësishmi ishte fakti se LDK-ja kandidoi nga Prishtina 50 për qind gra.

Ndër emrat befasues ishte Ismet Beqiri, një veteran i LDK-së, që dikur ishte edhe kryetar i Prishtinës. LDK-ja ka vendosur që t’i kandidojë disa prej figurave frontale të qeverisjes së saj komunale në Prishtinë, përfshirë Jehona Lushaku Sadriun, drejtoreshë e Arsimit, dhe Sibel Halimin, drejtoreshë e Kulturës.

Po ashtu, në listë janë edhe emrat e anëtarësuar para ca kohe, si p.sh. Berat Rukiqi, ndërsa nuk mungon as emri tashmë i veteranit Arben Gashi, aktualisht shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Natyrisht, LDK-ja e Abdixhikut i kandidoi edhe pasardhësit e zyrtarëve të lartë të vrarë të LDK-së, si p.sh. Besian Mustafa, djali i intelektualit të madh Xhemail Mustafa, i vrarë pas luftës, dhe Dorutinë Maloku, vajza e Enver Malokut, njëri nga njerëzit e rëndësishëm të QIK-ut, që ishte vrarë gjatë luftës.

Alban Zogaj, Arben Gashi, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica Xhelili, Donjeta Dragusha, Doruntinë Maloku, Ema Nikçi Rexha, Fadil Aliu, Fiknete Bejta, Florian Dushi, Hykmete Bajrami, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Jeta Rafuna, Krenar Xhaferi, Sibel Halimi, Sokol Havolli, Vlora Dumoshi janë zyrtarisht kandidatë të LDK-së për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.

“Jam i lumtur me listën e propozimeve, sidomos për faktin që 50% e të nominuareve janë gra! Gra të fuqishme, shtet i fuqishëm! Të gjithë bashkë, ata janë kandidatët tuaj. Sikurse si ju, ata rrisin familjet në mesin tuaj. Kanë brengë e hall brengat dhe hallet e juaja, kanë ëndërr ëndrrat tuaja. Mbi të gjitha, kanë një vullnet të jashtëzakonshëm, për t’i shërbyer vendit me plot krenari e nder!” – ka shkruar Abdixhiku.

Gjatë fjalës së tij, Abdixhiku tha se LDK-ja po bën thirrje për ndryshim të madh, duke përmendur se “Rruga e Re” e tij është ndryshimi që i duhet Kosovës.

“Është thirrja jonë për prindërit e rinj, për mësuesit, punëtorët, mjekët, ndërmarrësit, bujqit, pensionistët e studentët. Për secilin nga ju që ndihet sot i lodhur nga pritja, i lodhur nga premtimi se ndryshimi do të ndodhë një ditë, që është lodhur nga zymtësia, nga ndarja e propaganda! BËHUNI NDRYSHIMI! Mos pritni ndryshimi të ju vijë nga unë! Ejani me mua, ta bëjmë këtë ndryshim bashkërisht” – tha Abdixhiku.

Sjellim ndër mend që përveç LDK-së, gjatë fundjavës që shkoi edhe PDK-ja e mbajti konventën e partisë, ku mes tjerash premtoi rritje rrogash për shërbyesit civilë në vlerë prej 50 për qind.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit