Para rreth dy muajsh, ministrja Artane Rizvanolli ishte ftuar dhe paraqitur në Prokurori, në cilësinë e dëshmitares për rastin e aferës së ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi, e cila peshon mbi 36 milionë euro dëm për buxhetin e Kosovës.
Tashmë janë publikuar pjesë nga dëshmia e Rizvanollit, e cila karakterizohet me fjali si: “Nuk e di…”, “Mund të ketë qenë”, “Nuk më kujtohet”.
Në një pjesë të dëshmisë të cilën e ka siguruar Nacionale, Rizvanolli pyetet edhe për grupin e famshëm të Whatsappit, ku bënte pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ajo që njihet si “masha” e Vetëvendosjes, Dejona Mihali.
Rizvanolli pyetet për praninë e kryeministrit Albin Kurti në këtë grup të WhatsApp-it si dhe për atë se pse “një person privat me emrin Dejona Mihali” duhej të ishte në atë grup.
Prokurori: Dhe në këtë komunikim në grup ka qenë i përfshirë edhe Kryeministri, zv.Kryeministri dhe zyrtarë tjerë shtetërorë, a është e saktë?
Dëshmitarja: Nuk më kujtohet kush ka qenë saktësisht në grup, por po.
Prokurori: A është e saktë se në këtë grup ka qenë edhe shtetasja Dejona Mihali?
Dëshmitarja: Mund të ketë qenë për një kohë në grup.
Prokurori: A është Dejona Mihali zyrtare e institucioneve shtetërore?
Dëshmitarja: Jo.
Prokurori: A është zyrtare e Ministrisë ku ju e ushtroni detyrën?
Dëshmitarja: Jo.
Prokurori: Me aq sa keni njohuri a është zyrtare e KEK-ut?
Dëshmitarja: Jo.
Prokurori: Në lidhje me situatat qoftë emergjente apo të rregullta në KEK a jeni konsultuar me Dejona Mihalin?
Dëshmitarja: Me sa më kujtohet në kuadër të grupit në WhatsApp.
Prokurori: Pse keni komunikuar çështje zyrtare me një person privat?
Dëshmitarja: Dejona është koordinatore e komiteteve profesionale në Lëvizjen Vetëvendosje ku përfshihet komiteti për energji dhe në këtë kontest ka njohuri për politikat e Lëvizjes Vetëvendosje për sektorin e energjisë.
Prokurori: Besoj që në ministrinë ku ju udhëhiqni keni zyrtarë të fushës përkatëse me ekspertizë, pse keni nevojë të konsultoheni me një person që nuk është pjesë e institucioneve?
Dëshmitarja: Për qartësim jemi duke folur me një grup jo formal ku është diskutuar për çështje të ndryshme të energjisë.