Edhe nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku ka reaguar pas propozimit të rritjes së çmimit të rrymës për 15%.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Çitaku e ka fajësuar Qeverinë Kurti në detyrë të cilët sipas saj po tallen me qytetarët.
“Dhe në këtë realitet të zymtë, kush është në krye? Një kastë qeverisëse e izoluar nga realiteti. Jo vetëm e paaftë për të adresuar hallet e përditshme të qytetarëve, por edhe arrogante, shurdhe”, ka shkruar Çitaku mes tjerash.
Postimi i plotë:
Kosova, viti 2025 – vendi ku jetesa po bëhet luks!
Rritje pas rritjeje! Çmimet e produkteve më elementare – vezë, bukë, perime, ujë – po arrijnë majat. Energji elektrike? Është bërë barrë e papërballueshme. Në çdo shtëpi ndjehet frika e faturës së ardhshme.
Dhe në këtë realitet të zymtë, kush është në krye? Një kastë qeverisëse e izoluar nga realiteti. Jo vetëm e paaftë për të adresuar hallet e përditshme të qytetarëve, por edhe arrogante, shurdhe.
“Let them eat cake,” po thotë qeveria – me përbuzje, sikur po jetojmë në ndonjë pallat, jo në varfëri.
Kjo nuk është më qeverisje – kjo është tallje me qytetarin. Dhe durimi ka kufi. Ndryshimi nuk vjen duke heshtur.