spot_img
Wednesday, December 4, 2024
spot_img

Çfarë tha Jusuf Gërvalla për Kosovën, Shqipërinë dhe trojet shqiptare, më 28 nëntor të vitit 1981?

Në këtë material, të cilin unë e nxora nga kasetofoni, fjalë për fjalë, pa ndryshuar asnjë germë, pa ndryshuar asnjë pikë apo presje, jam i bindur, që lexuesi do të gjejë forcën e madhe të fjalës së tij, tepër aktuale për ditët e sotme, largpamësinë e kthjellët, mprehtësinë e mendimit, arsyetimin e shëndoshë për problemin madhor të statusit të Republikës së Kosovës.

Janë munduar dhe vazhdojnë të mundohen, për të shtrembëruar qëllimet e vërteta të veprimtarisë së tij politike. Por ai është i gjallë në mes të gjallëve dhe me fuqinë e fjalës së tij godet në shenjë, aty ku duhet…!!!

Salla në Höpfigheim (Melchior – Jägerstuben, Burgunderstraße 4) ku u festua 28 Nëntori i vitit 1981

Jusuf Gërvalla: “Kemi dëgjuar të flitet, se si në një numër të “Zërit të Rinisë”, i cili botohet në Kosovë, vite më parë diku nga viti 67, figuron një fotografi e Fadil Hoxhës, ku gjoja ai ka ngritur gishtin dhe nën fotografinë e tij qëndrojnë fjalët Republika e Kosovës. Qarkullojnë fjalë të themi të drejtën, se informata të sakta për ekzistimin e një fotografie të tillë, me fjalë të tilla nuk ekzistojnë. Mirëpo nga ana tjetër është përmendur fakti, se edhe udhëheqja kosovare, edhe populli kosovar, sidomos në vitin 68 dhe në vitin 1974, kanë paraqitur një kërkesë të tillë, për arsye, se një kërkesë e tillë ishte e logjikshme dhe e drejtë edhe para vitit 1981.

Mirëpo po të nisemi nga angazhimi i Fadil Hoxhës, me kompani, me realizimin e të drejtave të ligjshme kushtetuese, për shqiptarët, që jetojnë në Jugosllavi, atëherë mund të themi, se edhe po të jetë bërë një kërkesë e tillë, që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës nga Fadil Hoxha me kompani, ajo është shtruar në atë mënyrë, në mënyrën në të cilën shërbëtori shtron para zotriut një lutje dhe jo një kërkesë. Me këtë rast duhet të bëjmë një sqarim të qartë. Qeveria kuislinge e Kosovës, e cila ka tradhtuar me themel interesat e popullit shqiptar në Jugosllavi edhe po ta bëj kërkesën për një republikë apo çfarëdo të drejte tjetër kushtetuese e njerëzore, për shqiptarët në Jugosllavi, këtë kërkesë do ta bëj formalisht edhe do ta bëjë në formë lutje edhe posa të paraqitet problemi i parë, siç është paraqitur më 68, në se është e vërtetë ç’kërkesa, siç është paraqitur po ashtu në vitin 1974. Fadil Hoxha me shokët janë treguar të gatshëm, për t’u tërhequr sa më shpejt nga kërkesat e tilla.

Po ndryshon krejtësisht mënyra, ndryshon krejtësisht intensiteti, me të cilën rinia revolucionare dhe populli shqiptar në Jugosllavi e paraqiti kërkesën, që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, në pranverën e përgjakshme të këtij viti (mars 1981). Nuk është fare e vështirë, të thuhet se asnjë popull dhe kështu as populli ynë kurrë nuk ka mundësi të shtrojë kërkesa në rrugë të padrejtë. Prandaj mund të mendojmë dhe të jemi të kënaqur, të jemi shumë të gëzuar, që populli ynë diti ta bëjë kërkesën pikërisht në një kohë të tillë, kur edhe ekzistojnë kushtet më objektive për realizimin e saj, pa marrë parasysh viktimat, që u tregua e gatshme qeveria e Beogradit, të shkaktojë në radhët e popullsisë shqiptare, pa marrë parasysh reprezaljet, që ajo po merr kundër rinisë dhe popullit shqiptar, pa marrë parasysh këmbënguljen e saj, që me rrena, me demagogji, me shpifje e trillimet më të poshtra ta hedhë poshtë kërkesën, që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës.

Dhe pyetje e tretë ishte, se deri kur do të presë populli, që të realizohet Kosova Republikë. Në pamundësi, që të zgjatemi, për arsye që nuk është e hijshme, që kjo tribunë këtu të shndërrohet në tribunë të dy-tre shokëve, po ne e kemi menduar si një tribunë të popullit, ku do të marrë pjesë ai që është i interesuar të bëjë një pyetje ose të parashtrojë një problem. Po të përpiqem t’i bie shkurt. Kjo pyetje, se deri kur do të presë populli, që të realizohet kërkesa Kosova Republikë, është çështje e objektivitetit.

Populli në radhë të parë nuk është duke pritur fare, për arsye se, këtu disa herë u tha sonte edhe mendojmë se, nuk do të mund ta mohojmë, që populli, me aksione të ndryshme, me parulla, me sabotimin e diferencimeve politike, me injorimin e tyre në çdo mënyrë, është duke marrë të gjitha masat që mos pajtohet me situatën të cilën ia imponon qeveria e Beogradit. Prandaj populli nuk është duke pritur, populli ka bërë një hap të drejtë, një hap të ligjshëm, ka bërë një hap, i cili tash i lejon atij që të kthehet edhe të presë përgjigjen përfundimtare të qeverisë shoviniste të Beogradit. Populli pa dyshim është ai, që e di më së miri deri kur duhet të presë që të realizohet kërkesa Kosova Republikë. Populli është i pagabueshëm!!! Unë, ti ai tjetri mund të gabojmë të gjithë me radhë, për arsye se jemi njerëz, jemi individ, kurse populli, i cili po tregohet kaq i durueshëm për realizimin e kërkesës, që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, pa kurrfarë dyshimi, do të dijë se deri ku shtrihen kufijtë e durimit, për fitimin e statusit të Republikës. Kosova Republikë!!!

Dhe ne, si bij të këtij populli, që jemi, kurrsesi nuk duhet ta vëmë mendjen në gjumë! Nuk duhet të kotemi, duhet të jemi sy qelë, ta masim pulsin e popullit dhe të presim prej tij, ato detyra, që na shtron ai! Të presim prej tij ato rrugë, që na përcakton ai dhe të jemi gjithmonë të gatshëm, që t’i përgjigjemi! S’ka kurrfarë dyshimi, se kur do të tregohet jo objektive pritja e mëtejshme, për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë poshtë një kërkesë të tillë edhe të dal me kërkesë tjetër, me fjalë të tjera, me qëllimin e tij të fundit që është ka qenë dhe do të jetë bashkimi i gjithë shqiptarëve, bashkimi i ligjshëm i gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar! (…)

Se ç’ka do t’i sjell, çfarë të mira do t’i sjellë Kosovës statusi i Republikës, ne ose duhet të realizojmë (analizojmë) ta shtrydhim mendjen, të mendojmë ditë e natë. Kemi edhe disa pika të tjera si të mbështetemi edhe të logjikojmë pse një njeri i mençur thotë, se mendimi është e vetmja parajsë, prej së cilës nuk mund të na ndjekin. Ta zëmë se një pikë mbështetje prej të cilës mund të nisemi ne kur të analizojmë, se çfarë të mirash do të na sjellë statusi i Republikës për Kosovën, mund të drejtohemi konkretisht te armiku. Po të ishte kërkesa Kosova Republikë, një kërkesë boshe, një kërkesë në ajër, një kërkesë mendje lehtë, një kërkesë, të cilën e kanë bërë aventurierët, një kërkesë të cilën e kanë bërë, ata që ëndërrojnë pa baza, pa farë dyshimi se Beogradi, qysh më 11 mars të këtij viti, do të dilte me dokumentin për statusin e Republikës së Kosovës dhe do të na thoshte urdhëroni shqiptarë ja ku e keni Republikën! Por a është kështu, po e shohim që prej afër nëntë muajsh. Të gjitha forcat, gjithë plehun, gjithë vrerin shovinist të 74 vjetëve, qindra vjetëve më të përparshëm, Beogradi, tashmë e ka akumuluar, e ka grumbulluar, për ta shtypur kërkesën e Kosovës Republikë.

Prandaj ne po duam ta vlerësojmë punën. Mund të nisemi edhe nga ky moment, po të ishte kjo kërkesë, një kërkesë me rëndësi të vogël, ose pa rëndësi, padyshim se Beogradi, do të shfrytëzonte rastin edhe do të na e bënte qejfin. Por është një kërkesë shumë vitale për popullin shqiptar dhe prandaj Beogradi, qeveria e Beogradit, si një qeveri shoviniste e tërbuar në kulm, na e mohon me aq këmbëngulje për arsye se, a do të mund të na mohojë apo jo do ta tregojë e nesërmja e shenjtë, se si do të mbarojë puna!

Po kështu kam edhe një përgjigje tjetër edhe një plotësim tjetër. Kur është fjala për saktësimin, se sa do të mund të na ndihmojnë forcat përparimtare, forcat internacionaliste në botë! Por sa do të mund të na ndihmojë vendi ynë amë Shqipëria Socialiste! Po ndalem te pika e parë, për forcat internacionaliste, nuk duhet të kemi iluzionin, se populli shqiptar, është populli më fisnik në botë, se populli shqiptar ka dallime të mëdha me popujt e tjerë në botë. Duhet të jemi realist dhe të themi se populli shqiptar është një prej popujve të botës, për të cilin vështirësitë, tragjeditë kombëtare, gjatë historisë e kanë prurë deri në këtë shkallë, sa ai sot të tregojë një afinitet për të qenë një popull luftarak, për të qenë një popull fisnik, për të qenë një popull i cili respekton të drejtat e të tjerëve, i cili s’ka kurrfarë aspiratash për të shkelë të drejtat e të tjerëve, i cili shumë i donë dhe madje nuk mund të jetojë pa të drejtat e liritë e veta.

Nëqoftëse populli shqiptar ishte në gjendje që në vitin 1936/37 të dërgonte njësitë të tëra me në krye heronjtë e popullit tonë, që ne sot i njohim, si Asim Vokshi, Xhemal Kada, Mehmet Shehu, Justina Shkupi e të tjerë në Front, në luftë për republikën e Spanjës, atëherë si mund të dyshojmë dhe nëqoftëse ne dyshojmë në forcat progresive të botës do të gabojmë për arsye se është një mori njerëzish progresivë njerëzish liridashës në botë, që lirinë e të tjerëve e respektojnë si lirinë e vet. Kurrsesi nuk duhet të dyshojmë në ndihmën që do të kemi nga forcat internacionaliste të gjithë botën, aq më tepër kur sot ekziston një pishtar, i cili është burim për energjitë e këtyre forcave përparimtare. E ky burim nuk është as më shumë e as më pak po pikërisht vendi amë i shqiptarëve pra i kosovarëve, ai që sot të gjitha forcave në botë, po jua tregon rrugën e drejtë të lirisë, të drejtësisë, njerëzisë, humanitetit, të demokracisë e socializmit.

Kur është fjala për pyetjen e tretë, që shtroi shoku natyrisht kjo është një çështje sa delikate aq edhe vitale, e rëndësishme për popullin tonë, jo vetëm për Kosovën, jo vetëm Maqedoni e Mal të Zi, por edhe për atë në Shqipëri, se siç tha më parë shoku emri Shqipëri, sot nuk është një emër të cilin nuk guxon ta prekë shqiptari, të cilin nuk guxon ta përmend shqiptari i Kosovës dhe përgjithësisht ai i Jugosllavisë.

Në një referat, në një punim, i cili u lexua sonte, u tha se një prej arsyeve të cilat Jugosllavinë e shtyjnë ta zhagisë kërkesën e kosovarëve për Republikë, është pikërisht përpjekja e Jugosllavisë, që edhe në momentin e ardhshëm, kur të shtrëngohet, të ja pranojë Kosovës statusin e Republikës, në atë moment të përpiqet, që Republikën e Kosovës, ta japë me kufij sa më të ngushtë! Mirëpo populli ynë, i cili derdhi gjakun në pranverë, që sot s’po pushon me aksione, që sot s’po pushon me parulla, i cili çdo ditë e më shumë po organizohet për ditë e më shumë, po del me veprime, që janë veprime karakteristike për një fazë të pjekur, ndoshta të kryengritjes popullore, jo të demonstratave të thjeshta, do të dijë të dalë përballë Beogradit, edhe kur është fjala për ngushtimin e kufijve të ardhshëm të Republikës. Pa dyshim, thashë në fillim, se pyetja është delikate. Deri para pak kohësh kishte njerëz, që një atribut të tillë, do të thotë atributin e tradhtisë kundrejt kufijve të Kosovës, ja mveshin edhe Shqipërisë socialiste, duke thënë se ajo siguroi kufijtë e vetë dhe për vëllezërit e Kosovës, nuk deshi të dijë më tutje. Se sa ishte e vërtetë kjo parullë e përhapur aq më shumë e aq më pak përveçse nga Udbeja, u muar vesh sot. Sot e njëjta Jugosllavi, e cila deri më sot përhapte parulla se Shqipëria dhe PPSH-ja i kanë kthyer shpinën Kosovës, e njëjta Udbe sot përhap parulla, se si kërkesa për Kosova Republikë është kërkesë krye këput e Enver Hoxhës, i cili gjoja qenka përzier në disa punë të brendshme të Jugosllavisë.

Natyrisht se do të varet shumë edhe nga vëllezërit tanë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi, se sa do të ju afrohemi realizimit të kërkesave tona objektive plotësisht të ligjshme. Po të jetë puna te kosovarët, për ata që i kanë pjekur hesapet, ata që e kanë shtrydhur mendjen për luftën e kaluar në mars e në prill e për këtë që po vazhdon e sidomos për atë që do të vijë, këtu është shumë fjalë e rëndë, që flitet për ndonjë tradhti të tillë, që të flitet për ndonjë harresë kur është fjala për vëllezërit në Maqedoni edhe në Mal të Zi. Por natyrisht në drejtimin e asaj, që të realizohen të drejtat e ligjshme të të gjithë popullit Shqiptar në Jugosllavi, për përfshirjen e të gjithëve brenda kufijve të ardhshëm të Kosovës, kjo varet shumë siç thashë edhe më parë, nga vetë aktiviteti që do të zhvillojnë vëllezërit tanë në regjionet përkatëse. Por duhet ta kemi guximin e të flasim objektivisht e të themi, se vetë kërkesa që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, siç e tha kohë më parë Zëri i Popullit, pikërisht Arbër Korabi, që kjo kërkesë para se të jetë një aspiratë, një qëllim të fundit të popullit shqiptar në Jugosllavi, paraqet më parë një protestë që do të thotë se vetë kërkesa që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës është një kërkesë, e cila flet qartë se në këtë moment popullit shqiptar në Jugosllavi ka përqafuar idetë e luftës, për një autonomi të vërtetë të shqiptarëve në Jugosllavi.

A është e drejtë kjo, mund të kthehemi mbrapa në histori. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, apo në kohën e kryengritjeve të mëdha të Kosovës, më 1908/10/11 ku 12 kushtet objektive nuk lejonin, që populli në atë kohë të dilte menjëherë me kërkesën për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Por populli u detyrua të dalë për një autonomi në radhë të parë, që do të jetë themeli i shëndoshë edhe për luftën e mëtutjeshme edhe për fitoren e pavarësisë së plotë të popullit shqiptar. Një rrugë e tillë, sa do që historia nuk përsëritet na imponohet sot edhe ne popullit shqiptar në Jugosllavi dhe gjithë kombit tonë kur është fjala për realizimin e të drejtave tona qoftë në kuadër të kufijve jugosllavë, qoftë me bashkimin e plotë që do të bëhet nesër patjetër në mes gjithë shqiptarëve që jetojnë kudo në tokat e tyre.”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit