Sa ushtarë do të dërgohen, me çfarë detyrash, mbi cilat rregulla do të angazhohen në terren, çfarë armësh do të mbajnë, çfarë mbrojtje do të gëzojnë dhe çfarë legjitimiteti politik do të kenë. Të gjithë çështje dhe sfida, që lindin nga një mision i mundshëm paqeje i trupave evropiane në Ukrainë, po shqyrtohen jo vetëm këto ditë, por në realitet prej muajsh në zyrat strategjike të kryeqyteteve evropiane.
Në Londër dhe Paris. Dhe sërish ka një diskutim jo gjithmonë të qetë midis nivelit politik dhe atij tekniko-ushtarak. Pra një përplasje midis asaj që dëshirohet të bëhet dhe mënyrës se si të realizohet ajo.
Plani ushtarak
Në qarqet ushtarake amerikane, qarkullon një thënie e famshme: “Amatorët flasin për taktikat, pra për manovrat dhe vendosjen e trupave në terren, ndërsa profesionistët për logjistikën”. Një vëzhgim i ngjashëm vjen nga gjenerali dhe analisti ushtarak italian Antonio Li Gobbi.
Sipas tij “amatorët flasin për ushtarët që duhen dërguar, ndërsa profesionistët për qëllimet që duhen arritur”. Debati mbi këtë çështje, u intensifikua pasi presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se donte të krijonte një “forcë sigurie” që do të vendosej në “lokacione të caktuara strategjike”.
Por një mision ushtarak, sa për të cituar sërish gjeneralin Li Gobbi në analizat e tij, nuk është thjesht “numri i burrave me uniformë”. Ai kërkon qartësi objektivash, një zinxhir komandues efikas dhe rregulla angazhimi, të cilat të jenë në përputhje me terrenin real dhe jo me skenarët idealë.
Mbi të gjitha, kërkohen një koherencë ndërmjet mjeteve, qëllimit dhe vullnetit politik. Është e nevojshme të zgjidhen dhe të vihen në dispozicion armatime, mjete të blinduara, artileri, raketa dhe aftësi për ta përforcuar shpejt misionin me njësi shtesë në rastin e një përkeqësimi të papritur të situatës.
Rreziqet
Muajt e fundit, kjo çështje është eksploruar në thellësi edhe në një seri takimesh ku përfshihen grupe kërkimore dhe ekspertë nga Anglia, Zvicra dhe Gjermania, me pjesëmarrjen edhe të analistëve italianë.
Problemi mbetet gjithmonë i njëjtë: vetoja ruse ndaj forcave evropiane të NATO-s.
Pa një dritë jeshile nga Kremlini, çdo prani, qoftë edhe për qëllime paqësore, do të përfaqësonte vetëm një tundim të fortë për Putinin, që mund të dëshirojë të “testojë” aftësinë e Evropës për të reaguar.
Nëse synimi do të jetë dërgimi i disa njësive midis rusëve dhe ukrainasve, atëherë do të ishte i nevojshëm një armëpushim i njohur nga të dyja palët. Por në mungesë të një marrëveshjeje, çdo forcë do të shihej si provokim.
Parisi dhe Londra, duket se janë gati ta provojnë. Të tjerët më pak. Edhe nëse do të arrihej një marrëveshje formale, do të mbetej hapur çështja e legjitimitetit të saj. Një operacion i vendosjes së trupave paqeruajtëse midis 2 palëve ndërluftuese, mund të pranohet vetëm nëse komanda perceptohet si neutrale.
BE-ja nuk do të ishte e tillë dhe aq më pak NATO. Në këto kushte, i vetmi aktor i besueshëm për të dyja palët mbetet OKB-ja, e cila ka një histori katastrofike në menaxhimin e misioneve komplekse: Kongo, Somali, ish-Jugosllavi.
Kufizimet
Pastaj sfidë është edhe faktori gjeografik: një linjë kontakti të paktën 1000 kilometra e gjatë, shpesh në territore armiqësore, që do të monitorohet me mjete tokësore, ajrore dhe detare. Ajo do të kërkonte forca të mëdha, të pajisura mirë, të gatshme për të manovruar në thellësi.
Mund të imagjinohet edhe një vendosje trupash simbolike, me kontigjente të vogla nga disa vende, për të sinjalizuar afërsinë politike me Kievin dhe për të dekurajuar çdo shkelje të marrëveshjes nga ana e Moskës. Pra një forcë shumëkombëshe e vogël por e dukshme.
Pra jo NATO, jo zbatim i Nenit 5, dhe as pjesëmarrje e SHBA-së. Është vetëm Evropa. Dhe sot Evropa nuk zotëron ende kapacitetin për t’u kundërpërgjigjur në mënyrë autonome. Dhe as kohezionin e nevojshëm politik.
Amerika e Trump propozon një ushtri inxhinierësh dhe punëtorësh në termocentralet që duhet të vihen nën kontrollin e tij. Por Moska dhe Kievi, nuk janë dakord me këtë plan.