Tri ditë pas arrestimit të një gruaje me inicialet J.GJ. nga komuniteti serb në veri të Kosovës për “spiunazh”, pothuajse nuk ka asnjë informacion mbi këtë rast.
Ajo që dihet është se J.GJ. është punëtore e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Prishtinë.
Ndërsa, disa media kosovare shkruajnë se bëhet fjalë për një “spiun” të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), kjo agjenci nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar ose mohuar këto spekulime.
Për rastin nuk ka folur avokati i të së arrestuarës, Predrag Miljkoviq.
Policia e Kosovës ka konfirmuar shkurtimisht se personi i dyshuar për “spiunazh” është arrestuar më 28 shkurt në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.
Prokuroria Speciale, gjithashtu, njoftoi më 28 shkurt se personi i arrestuar për spiunazh mund të përballet me një dënim minimal prej pesë vjetësh burgim, sipas Kodit Penal, nëse konfirmohet se është marrë me spiunazh ose ka mbledhur të dhëna për një shërbim të huaj inteligjence apo ndihmojnë në ndonjë mënyrë tjetër punën e atij shërbimi.
Deri tani, e vetmja gjë që dihet është se e arrestuara J.GJ. është banore e Mitrovicës së Veriut, e cila është e punësuar në OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).
Misioni i OSBE-së në Kosovë më 2 mars deklaroi se ka marrë parasysh raportimet e mediave për ndalimin e “anëtares së tyre” dhe se janë në kontakt me avokatin e saj.
“Edhe pse misioni nuk mund të komentojë këtë rast për shkak të hetimeve që po zhvillohen, mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse”, thuhet në deklaratën e OSBE-së, duke theksuar se janë në kontakt me institucionet relevante dhe Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar “respektimin e procedurës së paraparë”.
Seancë gjyqësore e mbajtur me dyer të mbyllura
Seanca në të cilën personit me inicialet J. GJ. iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, u mbajt më 2 mars në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por nuk ishte e hapur për publikun.
Më pas, gjykata njoftoi se ekziston “dyshimi i bazuar se J.Gj. “në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit” dhe se masa e paraburgimit i është caktuar për shkak të rrezikut se e ajo mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, theksohet në njoftim.
Asnjë reagim ndaj arrestimit
Institucionet e Serbisë nuk kanë reaguar ndaj arrestimit të gruas me inicialet J.GJ., ndonëse deri më tani ka qenë praktikë që pas çdo arrestimi të serbëve në Kosovë, përfshirë ata për “terrorizëm” ose “rrezikim të rendit kushtetues”, të reagojë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Gjithashtu, nuk është prononcuar as Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Arrestimi i të dyshuarës J.GJ. ndodhi në të njëjtën ditë kur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se policia, pas marrjes së informacioneve nga terreni, kishte nisur një operacion në territorin e komunës së Leposaviqit, gjatë të cilit u sekuestruan uniforma ushtarake, armë dhe municion dhe se pas gjithë kësaj qëndrojnë anëtarët e organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila “vazhdon të veprojë në territorin e Kosovës”.
Akuza të mëparshme për bashkëpunim me BIA-n
Gjithashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti më 20 shkurt një aktakuzë kundër dy personave me inicialet B.SH. dhe M.Q., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit.
Mediat lokale në Kosovë raportuan se bëhet fjalë për shqiptarë të Kosovës të lidhur me autoritetet serbe, përkatësisht me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Megjithatë, BIA mohoi çdo lidhje me të arrestuarit në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një “përpjekje për të shpërndarë lajme të rreme” nga autoritetet në Prishtinë.