Wednesday, October 16, 2024
spot_img

Çfarë armë gjeti policia gjatë kontrollit në një autobus që po udhëtonte me nxënës

Të martën në mbrëmje Policia ka konfiskuar një armë zjarri, dy thika dhe boks të hekurit në një autobus që po udhëtonte me nxënës të shkollave të mesme në Ferizaj. Nga Drejtoria e Arsimit thonë se nuk kanë qenë të informuar për rastin në fjalë. Ndjekim kronikën që tregon më në detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Udhën e tyre ua ndali Policia e Kosovës.

E kur zyrtarët policor kontrolluan autobusin që po qarkullonte nga Ferizaj të martën mbrëma në drejtim të fshatrave Doganaj – Greme dhe Gaçkë gjetën një armë zjarri, dy thika, e një boks të hekurt.

Shumica e udhëtarëve ishin nxënës të shkollave të mesme.

“Me datën 15.10.2024 nga ora 20:00 në rrugën “ Enver Topalli”, policia e stacionit në Ferizaj ka bërë kontrollimin e autobusit që qarkullon nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj- Greme dhe Gaçkë. Zyrtarët policor me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur : një armë zjarri, dy thika dhe një ‘’Box hekuri’’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”, thuhet nga policia.

Televizioni ka kontaktuar me Kompaninë që po barte këta nxënës, por të njëjtit nuk kanë pasur njohuri për rastin.

E për këtë rast nuk ishte i informuar drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.

“Meqenëse është dyshu që ai autobus ka qenë me nxënës dhe qarkullimi është i llojit të tillë, pra një autobusi që i bartë nxënësit në ndërrimin e pasdites, është dashur që të lajmërohemi edhe ne si Drejtori Komunale e Arsimit, se është gjetur apo ka dyshime në lidhje me gjetjen e armëve të ftohta”, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Ndërsa gjithë këtë ngjarje nga Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk e shohin shumë shqetësuese pasi sipas tyre autobusi nuk bartë vetëm nxënës.

“Unë mendoj që po të kishte qenë vetëm linjë e nxënësve do të ishte edhe më shqetësuese megjithatë përderisa nuk e dimë pronarin e armëve unë nuk po e shoh që detyrimisht të jenë vetëm nxënësit në këtë rast. Megjithatë unë e shoh si shqetësim këtë që po ndodh në shoqërinë tonë dhe armëmbajtjet pa leje janë ato që po sjellin probleme të natyrave të ndryshme”, Visar Islami nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Mirëpo drejtori i Organizatës Joqeveritare AVONET, Kenan Gashi thotë se ky nuk është rasti i vetëm ku policia ka gjetur gjëra të tilla tek nxënësit.

“Drejtori i Arsimit nuk i ka shqetësim shkollat po çerdhet sepse ai ka zgjedh formën për çerdhe nuk ka zgjedhur problemin për shkolla dhe kjo është problemi i tij sepse ai nuk ka angazhim, aftësi dhe njohuri për ta parandaluar një gjendje të tillë, dhe ky është faji i tij dhe drejtorisë së tij”, thotë ai.

Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar një rast për hetim ‘’ Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’’.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit