Një ngjarje tragjike që përfundoi me vrasje ka tronditur Vranjevcin sonte. Për motive akoma të panjohura, një grua ka ekzekutuar vëllain e bashkëshortit – kunatin e saj.
Gazeta ka zbuluar ekskluzivisht se i vrarë ka mbetur Xhevdet Millaku, rreth 60 vjeçar, i cili punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Gruaja e dyshuar dhe kunati që e privoi nga jeta jetonin në të njëjtën shtëpi, por që i kishin hyrjet e ndara.
E dyshuara tashmë është arrestuar, ndërsa vendi ku ndodhi krimi është rrethuar me shirita dhe është mbushur përplot me policë.
Trupi i pajetë pritet të tërhiqet për t’u dërguar në obduksion.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën edhe Policia e Prishtinës, e cila ka treguar se ngjarja ka ndodh sonte rreth orës 19:20, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë.
“Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person e dyshuara: -N.M. femër”, njofton Policia.
Akoma s’dihen rrethanat në të cilat ka ndodhur ky rast i rëndë.
Por, aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast.