Dënime me burgim të përjetshëm në Kosovë u shqiptuan disa herë viteve të fundit, e disa prej tyre ishin për vrasje të grave. Por shumica prej tyre nuk kanë mbetur në fuqi, pasi ato janë ulur nga gjykata të nivelit më të lartë sesa gjykatat themelore.
Gjykata Themelore në Ferizaj, është e fundit që shqiptoi dënimin më të lartë që parasheh Kodi Penal në Kosovë.
Ajo dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani.
Dënime të tilla ndër vite u shqiptuan disa herë nga gjykatat, por ekzekutimi i tyre po del të jetë i vështirë.
Deri më tash, Gjykata Supreme ka konfirmuar vetëm dënimin e përjetshëm ndaj Gani Kriezit, i cili u shpall fajtor për vrasjen e më pas edhe djegien e trupit të vëllait të tij në Rahovec më 2020.
Avokati Ahmet Tahiri thotë se as dënimi i shqiptuar të hënën ndaj Krivaçës zor se do të bëhet i plotfuqishëm.
“Gjykata në rastin konkret ka rënë nën ndikimin e presionit, edhe herën e parë ka vendosur vendim të njëjtë, edhe normal që nuk i bien mbas, por unë mendoj që nuk do të qëndrojë nga shkallët e tjera. Pikërisht mungesa e profesionalizimit te disa gjyqtarë e bënë që të njëjtit ti nënshtrohen presionit publik, dhe të marrin dënime kapital;e dhe për këtë këto dënime kanë rënë.. kryesisht problemi është tek gjyqtarët e shkallës së parë”, ka thënë Tahiri, raporton RTV Dukagjini.
Ndërsa avokati tjetër Ardian Bajraktari thotë se gjykatat themelore duhet të zhvillojnë procese të drejta dhe pa shkelje, në mënyrë që gjykatat e shkallëve më të larta mos të kenë mundësi t’i ulin dënimet e tilla.
“Deri më tash kemi 9 apo 10 raste kur është shqiptuar nga Gjykatat Themelore kjo masë, por në shumicën e rasteve të tyre instancat e tjera qoftë Gjykata e Apelit apo Supreme i ka rishikuar këto dënime, kjo shpërfaq nevojën dhe domosdoshmërinë që gjykatat themelore të mos bien pre e presionit të opinionit publik, por të angazhohen të kemi administrim të mirë të procesit dhe të mos shoqërohen me shkelje”, ka thënë Bajraktari.
Dy herë me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore ishte dënuar edhe Naser Pajazitaj, për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, porse Supremja e liroi tërësisht nga akuzat.
Gjykatat Themelore kishin shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm edhe në rastin e vrasjes së Armanda Aliut, Valbona Markut, Sabile Mavrovqanit, si dhe në rastin e vrasjes së Jetmir Aliut.
Por, në të gjitha këto raste dënimet u ulën ose u prishën nga gjykatat më të larta