Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalyas, tha se Bullgaria është gati t’i bashkëngjitet marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Por, ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev tha të martën se informacionet janë të pasakta, shkruan BTA.
Ai iu përgjigj me shkrim deputetëve Xhipo Xhipov dhe Elisaveta Belobradova nga Bullgaria Demokratike
Përgjigja gjendet në faqen e internetit të Asamblesë Kombëtare.
“Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve në Tiranë më 18 mars 2025. Informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës është i pasaktë”, shpjegoi Georgiev.
Ministria e Jashtme bullgare ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars.
“Në asnjë moment nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim”, tha Georgiev.
Në mars, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se Bullgaria kishte treguar interes për nismën. Po ashtu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci theksoi se Bullgaria ka shfaqur interesim.
“Bullgaria mban marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me secilin nga tre vendet – dy prej tyre janë aleatë të NATO-s dhe një kontingjent ushtarak bullgar është pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), detyra kryesore e të cilit është të sigurojë paqen dhe stabilitetin”, tha Georgiev.