Pesë persona janë arrestuar mbrëmë në qytetin e Pejës pas një aksioni të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Të arrestuarit dyshohet se kishin planifikuar të kryenin një vrasje. Burime të Paparacit bëjnë me dije se të arrestuarit janë pjesë e grupit kriminal të Demë Elshanit.
Një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës të premten në mbrëmje ka rezultuar me arrestimin e pesë persona nën dyshimet për “Krim të organizuar” dhe përgatitje të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Pas arrestimeve të Qëndrim Elshanit, Adrian Gashit dhe Mentor e Leon Dreshaj, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe pesë persona tjerë, të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal të Demë Elshanit.
Siç raporton Sinjali, në Pejë mbrëmë janë arrestuar Fatos Çollaku, Roland Beqiri, Demokrat Muçaj, Dardan Ramqaj, dhe Shpend Kelmendi.
Sipas burimeve të Papracit, të njëjtit janë pjesë e grupit kriminal të Demë Elshanit.
Të arrestuarit janë hetuar nën dyshimin për veprën penale “Krim i organizuar” dhe për përgatitjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Ata dyshohet se kanë bërë marrëveshje, janë organizuar dhe kanë planifikuar kryerjen e një vrasje, si dhe janë përfshirë në krim të organizuar.
Hetimi i nisur për këtë rast çoi në identifikimin e të dyshuarve, të cilët u kapën të premten në mbrëmje pas bastisjeve të kryera nga disa njësi policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe gjyqtarin e procedurës paraprake.
Grupi i dyshuar kriminal i Demë Elshanit dyshohet se qëndron prapa një sërë incidentesh, përfshirë shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri, të ndodhura nga viti 2023 e këndej në Pejë.
Në janar të këtij viti Policia e Kosovës kishte arrestuar katër anëtar të këtij grupi. Ata, dyshohet se kishin planifikuar vrasjen e një personi me porosi të kreut të grupit, Demë Elshanit, një 49-vjeçari nga Ozdrimi i Pejës, i cili ndodhet në arrati tash e 22 vite.
Vrasja e cila ishte planifikuar që të ndodhte në Pejë ishte llogaritur të kushtojë 30 mijë euro ndërsa nëse viktima do të mbetej i plagosur, për këtë plagosje do të jepeshin 7 mijë euro.