Sërgjan Roshiq, zyrtari i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë të njohur si BIA, ishte personi i cili grumbullonte informacione nëpërmjet Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit lidhur me krerët e UÇK’së dhe situatën e sigurisë në Kosovë.
Ai delegonte detyra për të akuzuarit për spiunazh. Një ndër kërkesat e tij për Muharrem Qerimin ishte që të mblidhte informacione për Bashkim Demajn, ish-shoferin e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili gjendet në Dhomat e Paraburgimit në Hagë tash e pesë vite.
Kështu të paktën thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të cilën ka arritur ta shohë Gazeta.
Në një komunikim virtual, të siguruar nga autoritetet e sigurisë, Roshiq i thotë Qerimit të sigurojë informacione lidhur me Demajn, i cili ishte dënuar për rastin “Drenica 2”.
Roshiq, sipas aktakuzës, e përshkruan Demajn si “njeri të besuar të Hashim Thaçit“.
Gazeta raportoi ekskluzivisht për një letër që Bedri Shabani ia ka përcjellë kryeprokurores së Zyres së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West. Në atë letër, siç e përshkruan aktakuza, Shabani kërkon “drejtësi” dhe do që të jetë dëshmitar i saj.
Shabani i prezantohet asaj si “ish-agjent sekret i UÇK’së i infiltruar në institucionet e larta të ish-Jugosllavisë“.
“…të jetë dëshmitar i saj, dhe jo dëshmitar i rremë, e i manipuluar nga ish Kryeprokurori Jack Smith. Kërkojmë drejtësi, dhe shpresojmë se Ju dhe prokuroret dhe hetuesit që ju që drejtoni do të nxjerrni të gjithë kriminelet para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte të reja për të zbardhur të vërtetën…. Bedri Shabani ish agjent sekret i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i infiltruar në institucionet më të larta të RSF të Jugosllavisë”, thuhet në letrën, të cilën e kanë siguruar si provë organi i akuzës.
Në një shënim tjetër të përgjysmuar, të evidentuar në aktakuzë, Shabani shpreh dyshime se punët s’po kryhen sipas planifikimeve për krimet e kryera gjatë luftës.
“Nga ky shenim vërtetohet se i pandehuri, i ka shkruar leter “Kryeprokurores se Gjykates Speciale” znj. Kimberly West, por se shkresa eshte e pergjysmuar. Megjithate, e njejta shkrese ndodhet edhe ne dosjen e marre nga shtepia e tij, ku përmes saj shpreh dyshimet per krime të kryera gjatë luftës së UÇK-së, dhe është i brengosur se punët nuk jane duke shkuar sipas planifikimeve dhe se (pandehuri Shabani), është i gatshem të bashkëpunoj me ta (Zyrën e Prokurorit Special)”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Po ashtu, në një shkrim tjetër që përfshihet në aktakuzë, Shabani kërkon që të hetohet më shumë përreth Spitalit Ushtarak të Zonës Operative të Nerodimes në Mollopolc të Shtimes.