Bërja e një tatuazhi mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e një lloj kanceri me 21%, sipas një studimi të ri.
Studiuesit në Suedi kanë gjetur një lidhje të mundshme midis tatuazheve dhe kancerit në sistemin limfatik, i njohur si limfoma.
Limfoma është një lloj kanceri i gjakut që prek sistemin imunitar.
Studiuesit nga Universiteti Lynd dëshironin të hetonin lidhjen midis tatuazheve dhe efekteve afatgjata në shëndet, pasi njohuritë akademike në këtë fushë janë të pakta.
Dr. Christel Nielsen, që drejtoi studimin, tha:
“Është e rëndësishme të kujtojmë se limfoma është një sëmundje e rrallë dhe që rezultatet tona vlejnë në nivel grupi.
Rezultatet tani duhet të verifikohen dhe të hetohen më tej në studime të tjera, dhe një kërkim i tillë është në vazhdim.”
Studiuesit shqyrtuan 11,905 persona – 2,938 prej tyre, të moshës midis 20 dhe 60 vjeç, kishin limfoma.
Nga këta pjesëmarrës, 54% plotësuan pyetësorin për tatuazhet dhe 47% e grupit të kontrollit, që nuk kishte limfoma, bënë të njëjtën gjë.
Në grupin me limfoma, 21% ishin të tatuazhuar (289 persona), krahasuar me 18% në grupin e kontrollit pa diagnozë limfome (735 persona).
Pas shqyrtimit të faktorëve të tjerë si pirja e duhanit dhe mosha, studiuesit gjetën se rreziku për zhvillimin e limfomës ishte 21% më i lartë ndër ata që ishin të tatuazhuar.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se madhësia e tatuazhit nuk kishte rëndësi – kështu që të kesh një tatuazh në gjithë trupin nuk rrit rrezikun më shumë se një tatuazh i vogël.
Nënllojët më të zakonshëm të kancerit ishin limfoma difuze e qelizave të mëdha B (28%), limfoma Hodgkin (21%) dhe limfoma folikulare (18%). Mosha mesatare e atyre me një diagnozë varionte midis 51 dhe 57 vjeç. Megjithatë, ata me limfoma Hodgkin kishin një moshë mesatare prej 36 vjeç.
Sidoqoftë, studiuesit nuk janë të sigurt pse ndodh kjo. Dr. Nielsen tha: “Mund të spekulohet se një tatuazh, pavarësisht madhësisë, shkakton një inflamacion të lehtë në trup, i cili nga ana tjetër mund të shkaktojë kancer. Pamja është kështu më komplekse se sa menduam fillimisht.”
“Ne tashmë e dimë që kur boja e tatuazhit injektohet në lëkurë, trupi e interpreton këtë si diçka të huaj që nuk duhet të jetë aty dhe sistemi imunitar aktivizohet. Një pjesë e madhe e bojës transportohet larg nga lëkura, në nyjet limfatike ku depozitohet.”/