Depueti nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të komunës së Butelit, Darko Kostovski i cili tha për mediumin PortaliX, se Ali Ahmeti do të arrestohet për disa ditë.
Sipas tij, kjo deklaratë e Kostovskit vjen pas takimit që i pari i ekzekutivit, Albin Kurti pati me kryeministrin e RMV-së, Mickovskin, duke e akuzuar të njëjtin për tradhti.
Po ashtu, Berisha tha se Kurti iu bashkua kauzës së partisë ultranacionaliste VMRO dhe kauzave personale shoviniste të Kryeministrit Mickovski e Presidentes Gordanovska.
Reagimi i plotë:
Pas takimit Kurti-Mickovski, prangat e para për Ali Ahmetin
Kryeministri për të cilin kisha paralajmëruar në foltoren e Kuvendit dhe vetë atë drejtpërdrejt, se po rrëshqet në tradhti ndaj interesave kushtetuese e kombëtare të Kosovës, në takimin e dy qeverive Kurti-Mickovski, me dy marrëveshje e një protokoll, u mundua të na bindë/mashtrojë se, “Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë asnjë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinjë, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve tona dhe bizneseve që po forcohen gjithnjë e më shumë.”
Kurti nuk është dëgjuar asnjëherë të deklarohet për situatën në RMV, deri në zgjedhjet e fundit, ku pasi i përçau shqiptarët atje, iu bashkua kauzës së partisë ultranacionaliste VMRO dhe kauzave personale shoviniste të Kryeministrit Mickovski e Presidentes Gordanovska.
Nga kompleksi i identitetit të vet, për ta përmbushur agjendën e tij politike kuislinge dhe për të fuqizuar pozicionin e subjektit të vet politik atje, kurse në anë tjetër me qëllim të devalvimit të forcave të tjera politike shqiptare atje, në aleancë me ultranacionalistët e VMRO, është i gatshëm t’i sakrifikojë të gjitha arritjet politike të shqiptarëve në RMV.
Kjo tendencë u lexua në kundërpyetjen në media se “përse për këto 20 vite nuk janë implementuar në praktikë këto të drejta”?
Me këtë strategji nuk ka qëllim realizimin e tyre, përkundrazi falimentimin edhe të rolit shtetformues të shqiptarëve në zhvillimin e shtetit të MV.
Mos ngritja e këtyre temave në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, është pjesë e agjendës së përbashkët të koalicionit kundër shqiptarëve në RMV.
Në vend që Kryeministri të ngritë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në krejt Maqedoninë, e ta heqë kuotën diskriminuese prej 20% ku flitet gjuha shqipe. Po në treva si Prilepi, ku shqiptarët janë asimiluar tashmë dhe kanë mbetur vetëm 5%, ata diskriminohen me këtë kuotë.
Nuk iu kujtua Kryeministrit ta pyeste-shtronte si çështje apo të provonte të arrijë një marrëveshje për çështjen e të burgosurve kosovarë të rastit “Kumanova”, që t’ua mundësojë të vazhdojnë mbajtjen e burgut, në burgjet e Kosovës?! Mendoj se ua ka borxh sepse në fushatë elektorale ua ka premtuar “në mos lirimin e plotë (me një marrëveshje), të paktën mbajtjen e burgut në Kosovë.”
Nuk u kujtua ta sqarojë situatën e atyre që kanë qenë UÇK, për të cilët, dy liderët kryesorë të shtetit maqedonoverior janë zotuar t’i arrestojnë?
Formulimi se “do ndiqen penalisht ata që kanë qenë pjesë e veprave të dënueshme që gjykohen”, i bie se do mund të arrestohen të gjithë pjesëtarët e UÇK, çka përbën, po ashtu, shkelje të marrëveshjes së Ohrit.
Prangat po ia tregojnë liderit të luftës, paqes dhe ndërtimit të vlerave të lirisë, të identitetit autokton të shqiptarëve si komb shtetformues e garantues i ekzistencës së RMV, z. Ali Ahmeti.
Pra, prekja e Marrëveshjes së Ohrit, do të thotë edhe humbje e të drejtave dhe statusit të shqiptarëve si popull shtetformues dhe garantues i ekzistencës së MV si shtet.
Prekja në këtë marrëveshje do të thotë rrënim i themeleve të shtetit të Maqedonisë dhe kthim në një luftë të papërfunduar, që provokon deficitin patriotik të Kurtit dhe dëshpërimin nga dështimi që të ishte në rreshtat e krenarisë kombëtare të UÇK, jo vetëm në Kosovë por edhe në Kosovën Lindore e Maqedoni.
Veprimet me të cilat po provon të prodhojë krizë në RMV, tregojnë se Kurti është argat i gjeostrategjisë dhe agjendës ruse për një konflikt në Ballkanin Perëndimor.