Berat Lahu, asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, pas largimit të tij si asambleist, ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryetarit të Degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia.
Gjatë seancës së tij të parë si i pavarur, Lahu ka akuzuar Vitinë për sabotimin e qëllimshëm të fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021.
“Ne e humbëm garën për kryetar në një mënyrë që është e turpshme. E kam thënë edhe atij (Arben Vitisë) që ne humbëm, por nuk është fituar nga LDK-ja, nuk është fituar nga Përparim Rama. Po të kishte dashur Vetëvendosje, do të kishte fituar pa dyshim. Por, ai (Vitia) e ka sabotu fushatën dhe të gjithë e dinë këtë, është shkruar në raportin tim për fushatën,” potencoi Lahu.
Lahu nuk ka ngurruar të kërkojë përgjegjësi për atë që e sheh si dështim të menaxhimit të fushatës nga Vitia.
“Një njeri që e ul subjektin nga 65% në 35% duhet të japë dorëheqje. Arben Vitia nuk dha dorëheqje, por vazhdoi tutje pa asnjë përgjegjësi,” shtoi ai.
Një tjetër kritikë e fortë e Lahut ishte për vendimin lidhur me rastin e njohur si Badoci, ku e akuzoi asamblistin e VV-së, Gëzim Sveçlën për mashtrim.