spot_img
Tuesday, February 25, 2025
spot_img

BE-ja do negociata për strukturat paralele

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur gatishmëri që t’i lehtësojë negociatat që për qëllim do të kishin adresimin e çështjes së strukturave paralele serbe në Kosovë. Blloku e kundërshtoi aksionin e fundit të autoriteteve për mbylljen e zyrave në veri që ofronin shërbime sociale, duke e cilësuar veprim të njëanshëm.

“Mbyllja e strukturave ekzistuese që ofrojnë shërbime themelore sociale për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera, pa ndonjë marrëveshje alternative të rënë dakord paraprakisht, ndikon negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtyre komuniteteve dhe dëmton drejtpërdrejt përpjekjet për normalizim. Këto çështje duhet të adresohen ndërmjet palëve. Përfaqësuesi Special për Dialogun Kosovë-Serbi (EUSR), Sørensen është i gatshëm t’i lehtësojë diskutimet”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Ai ka theksuar se Brukseli zyrtar ndodhet në pritje të detajeve për t’i vërtetuar faktet lidhur me aksionin e së premtes së kaluar.

“Kemi vërejtur se Policia e Kosovës ka kryer operacione të reja kundër strukturave të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës. Misioni ynë EULEX po monitoron situatën në terren, në përputhje me mandatin e tij. Ne jemi në pritje të detajeve të mëtejshme për të vërtetuar faktet. Siç u tha më parë, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Asnjë institucion shëndetësor dhe arsimor i mbështetur nga Serbia, as struktura të tjera të mbështetura nga Serbia që ofrojnë shërbime sociale bazë nuk duhet të mbyllen”, ka thënë ky zëdhënës.

Derisa Brukseli u referohet si struktura që mbështeten nga Serbia, për qeverinë e Kosovës ato drejtohen nga fqinji verior dhe janë ilegale.

Aksionet për mbylljen e tyre nisën para disa muajsh dhe deri tash u është vënë dryni degëve postare, atyre bankare si dhe komunave paralele në veri e jug.

Të premten e javës së kaluar, me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, policia ka bastisur dhe mbyllur zyrat e tri qendrave për punë sociale, të cilat operonin ilegalisht në veri.

Sipas policisë, zyrtarë të këtyre qendrave dyshohet se kanë telefonuar qytetarë dhe nën formën e kërcënimit, i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Lidhur me aksionin policor të 21 shkurtit ka reaguar Lista Serbe. Sipas këtij subjekti, kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.

E, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se punonjësit e këtyre qendrave nuk do të mbeten pa paga, ashtu siç asnjë përfitues i ndihmave sociale nuk do të mbetet pa përfitimet që ua paguan atyre shteti i Serbisë.

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, e të ngjashme.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’u japë paga.

Veç BE-së kundër mbylljes së këtyre zyrave janë deklaruar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.
Gjermania, përmes ambasadës në Prishtinë, shprehur qëndrimin një ditë më parë se ky shtet është për mbylljen e këtyre strukturave, por jo në mënyrën si po veprohet me institucionet që ofrojnë shërbime bazike, sikurse zyrat sociale, por edhe sistemi shëndetësor e arsimor.

Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan nëse do të pranojnë që për këto çështje të diskutohet në dialogun e Brukselit.

Ndërkombëtarët kanë qenë kundër edhe shumë veprimeve të Qeverisë, nëpërmjet të cilave janë mbyllur struktura serbe ilegale. Ata kanë kundërshtuar që nga vendimet për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale, e deri tek ai për ndalimin e dinarit të Serbisë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit