Mazllam Baraliu, profesor i çështjeve juridike, ka deklaruar se ka përpjekje serioze që në zgjedhjet e ardhshme të ketë front të përbashkët opozitar, por që sipas tij, partitë politike “nuk kanë çka të thonë në fushatë”.
Sipas Baraliut, qeveritë e kaluara, por edhe qeverisja aktuale “s’kanë arritur të bindin popullin për qeverisje të mirë”.
“Ka përpjekje serioze për front të përbashkët opozitar, nuk kanë çka thonë shumë sepse jemi mësuar nga qeverisjet e kaluara. E vërteta është se jemi mësuar me ato, kemi përjetuar gabime e dështime. Edhe ky koalicion qe 4 vjet, që po bën historinë pasi është pozitive për Kosovën kur një legjislacion shkon deri në mbarim mandati, as këta s’kanë arritur të bindin popullin se dikush është pjekur dhe ka vullnetin për të mbrojtur shtetin që të qeveriset mirë. Janë bërë lëshime që janë të pariparueshme”, ka deklaruar Baraliu të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.
Njohësi i Kushtetutës ka thënë subjektet politike në Kosovë nuk mbajnë kontakte të rregullta me qytetarët, por këto tentojnë t’i bëjnë para fushatave “duke u përpjekur të riparojnë mungesën e komunikimit”.