Në Britani e konsiderojnë si një nga grupet më të rrezikshme të drogës; “Huyton Firm” drejtohet nga vëllezërit Coggins dhe kontrollon me dorë të hekurt qytetin e Liverpool-it. Por ndryshe nga pjesa tjetër e Anglisë, ky qytet mbetet “i pakapshëm” për bandat shqiptare, e cila ka pushtuar pothuajse gjithë tregun e kokainës në Britaninë e Madhe.
Këtë fakt e konfirmon një investigim i publikuar nga MailOnline, ku publikohen mesazhe të dekriptuara nga EncroChat mes dy figurave të njohura të krimit në Angli; vëllezërit Vincent dhe Francis Coggins.
Në bisedat e përgjuara, bëhet fjalë për një të ri shqiptar me bazë në Marbella, i cili kishte ofruar të sillte drogë nga Cartagena, Kolumbi, për 5.500 dollarë për ngarkesë dhe të investonte 100 mijë paund në rrjetin e “Huyton Firm”. Por Francis Coggins ishte i prerë: “Nuk jemi të interesuar nga Spanja, por do ta kaloj tek dikush në Scouse.”
Mesazhet e dekriptuara nga EncroChat
Vincent e përshkruan më tej situatën me shqetësim: “Scouse janë në lidhje me disa ‘albos’ (shqiptarë) që duan të fusin mallin e tyre, por gjithmonë ngrejnë pyetje për përgjegjësinë nëse diçka shkon keq, e gjithë kjo po i tremb njerëzit tanë”. Frika nga përfshirja e shqiptarëve në tregun lokal të drogës është e qartë.
Në një tjetër mesazh, Francis e pranon: “Është punë e vështirë me shqiptarët, prandaj thashë jo, por i vendosa në kontakt me dikë tjetër”.
Në një nga mesazhet më të forta, Francis e përmbledh filozofinë e tij kriminale me një fjali të thjeshtë dhe kërcënuese:
“Qyteti është i imi ose vdes.”
Ky është realiteti që fshihet në qytetin portual, një luftë e heshtur për kontrollin e drogës, ku shqiptarët për momentin nuk janë të dëshiruar. Merseyside mbetet bastioni i fundit ku mafia shqiptare nuk ka vendosur dot dominim, ndryshe nga pjesa tjetër e Britanisë, ku sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), shqiptarët kanë kontroll të konsiderueshëm mbi tregtinë e kokainës.