Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një prononcim për media ka thënë se LDK s’voton raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve deri në momentin që do të ketë dorëheqje efektive nga Kurti dhe ministrat e tjerë që janë zgjedhur deputet.
Bajrami ka thënë se dorëheqja efektive nënkupton që Kurti dhe ministrat të mos mund të kthehen më në zyrat e tyre dhe ka shtuar se vetëm pasi ta bëjnë një gjë të tillë mund të betohen si deputet.
“Rregullorja ligji dhe Kushtetuta e kërkon që ministrat dhe kryeministri të japë dorëheqje dhe pastaj të vijnë ta bëjnë betimin. Derisa të ketë dorëheqje efektive që këta s’mund të kthehen në në zyrat e tyre e të marrin vendime, ne do të votojmë kundër në këtë Komision”, ka thënë Bajrami.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime. Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.