Tetë muaj pas arrestimit të Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë e cila i ngarkon ata me veprën penale “Spiunazhi”, pasi që nga provat e mbledhura, sipas prokurorisë, ata kanë dërguar informacione të ndjeshme të sigurisë së Kosovës në BIA-n serbe.
Gjykimi tashmë ka nisur dhe të gjitha shkresat e lëndës u janë dorëzuar palëve, përfshirë edhe avokatëve mbrojtës.
Avokati i Muharrem Qerimit, Betim Shala, lidhur me këtë çështje ka deklaruar se nga dokumentet që ka në dispozicion, nuk sheh që është çrregulluar rendi kushtetuese, siç thuhet në aktakuzë.
Për më tepër, Shala thotë se në shkresat e lëndës nuk kam parë se ka ndonjë dokument të klasifikuar si sekret shtetëror, çka sipas tij nuk e dëshmon se klienti i tij ta ketë kryer si vepër “Spiunazhin”.
“Nëse gjykata nuk ka prova ashtu siç kërkohet me Kodin e Procedurës Penale, i akuzuari ka ndikuar në sigurimin e atyre informacioneve. Në momentin kur ngrihet aktakuza, gjykata mbi bazën e atyre provave duhet me vërtetu a është kryer vepra penale, përkatësisht a është përmbush figura e veprës për të cilën është akuzuar. Unë nga ato prova që i kam parë në aktakuzë, dhe provat të cilat mi ka dorëzuar prokuroria, nuk kam parë kurrkund një dokument nuk është i klasifikuar sekret shtetëror, sekretet industrial, etj”.
“Nëse ai [Qerimi] ka punuar dhe ka siguruar informata dhe është paguar për ato informata çfarëdo a janë sekrete apo nuk janë sekrete, atëherë kemi veprime inkriminuese të ndërmarrjes së veprimeve të spiunazhit. Por unë po përqendrohem në provat e me të cilat prokuroria po synon do ta vërtetoj kryerjen e veprës së spiunazhit. Për me u kry spiunazhi duhet me ekzistu ndonjë dokument i klasifikuar”, tha avokati Shala.