Avokati i njohur Besnik Berisha ka njoftuar se Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rastin e Shaban Gogajt, për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt.
Berisha bëri të ditur se kjo ishte goditja e fundit që Supremja ia dha padrejtësisë ndaj Gogajt, duke marrë këtë vendim që mbron sigurinë juridike.
Ai tha se ricilësimi i veprës penale ishte bërë në mënyrë të ligjshme, teksa rihapja e shqyrtimit gjyqësor nuk kishte bazë ligjore.
Në fund, avokati Berisha u shpreh se drejtësia triumfoi.
“Gjykata Supreme i jep goditjen e fundit padrejtësisë ndaj z. Shaban GOGAJ, vrasja e Agonis Tetajt ishte nga PAKUJDESIA!
Me një vendim që mbron sigurinë juridike, Gjykata Supreme e Kosovës refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, duke konstatuar se:
Ricilësimi i veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia” ishte bërë në mënyrë të ligjshme nga Prokuroria Themelore në Gjilan, bazuar në faktin se i dënuari kishte besuar se arma që po përdorte ishte e gazit dhe jo armë zjarri.
Rihapja e shqyrtimit gjyqësor nuk kishte bazë ligjore, pasi të gjitha provat e propozuara nga Prokuroria tashmë ishin administruar më parë dhe nuk përbënin prova të reja që të justifikonin rihapjen e shqyrtimit gjyqësor.
Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale në dëm të të dënuarit ishte i paligjshëm, pasi një herë kur Prokuroria kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe pranimi i fajësisë ishte bërë mbi këtë bazë, kthimi në aktakuzën fillestare ishte shkelje e rëndë e parimeve të një procesi të drejtë.
Drejtësia triumfoi!” – ka shkruar Berisha në Facebook.