Uji shpërtheu brenda minierës dhe, për pak minuta, përfshiu krejt oborrin e saj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Rreziku ishte i madh, por fatmirësisht, tre punonjës që ishin në horizontin e gjashtë, i shpëtuan vetëm pak minuta para shpërthimit, duke u larguar për pushim.
Mbikëqyrësi i minierës, Liridon Mehmeti, e përshkroi situatën, duke thënë se gjithçka ndodhi për shkak të grumbullimit të ujit.
“Në këtë zonë ka pasur një hapje prej 650 metrash dhe pas daljes së punëtorëve për pushim, uji ka nisur të dalë dhe ka shpërthyer,” tregoi Mehmeti.
Nga ana tjetër, drejtori i minierës, Hasim Berisha, theksoi se, pavarësisht dëmeve materiale, objektet dhe pajisjet nuk dolën jashtë funksionit. “
Për fat, nuk pati dëme të mëdha dhe gjithçka është verifikuar dhe është në rregull. Asnjë sektor nuk është dëmtuar plotësisht,” tha ai.
Megjithatë, ish-drejtori i Minierës së Trepçës, Ferat Shala, ngriti shqetësimin lidhur me menaxhimin e minierës.
Ai e lidh ngjarjen me menaxhimin e dobët, duke theksuar se kjo tregon paaftësi menaxheriale dhe teknike.
“Ngjarja ka ndodhur për shkak të menaxhimit jo profesional dhe teknik. Kjo është një pasqyrë e paaftësisë menaxheriale dhe inxhinierike,” theksoi Shala.
Gjithashtu, uji ka shkaktuar dëme edhe në rrugën që çon drejt minierës, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe kushte të punës.
Pikërisht në këtë vend me 2 qershor të 2020 kishin humbur jetën dy minatorë si pasojë e shembjes së dheut.