“Skandalin më të rrezikshëm që nga ekzistenca e jonë si shtet”, e ka quajtur anëtarja e kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku, rastin e deklaratave të drejtorit të RTK-së në takim me bordin.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Çitaku e quajti “të papranueshëm” përdorimin e shërbimit për inteligjencë si mashë për të luftuar mediat dhe mendimin ndryshe nga Qeveria.
Reagimi i plotë:
Nëse deklaratat e Drejtorit të RTK-së dhënë në takim me bordin janë të vërteta, atëherë kjo do të përbënte skandalin më të rrezikshëm që nga ekzistenca e jonë si shtet.
Përdorimi i shërbimit për intelegjencë nga ana e qeverisë, si mashë për të luftuar mediat dhe mendimin ndryshe është e paprecedan në demokraci, është e papranueshme në një shoqëri të lirë, është antikushtetuese.
AKI është institucion që është ndërtuar me shumë mund, me shumë sakrificë, dhe me shumë mbështetje nga aleatët tanë perendimor.
Po si duket qartë, qëllimi i kësaj kaste qeverisëse është t’i rrënojë institucionet, jo t’i fuqizojë ato.
AKI duhet të jetë në shërbim të Republikës, e jo të politikës.