Astronautët e NASA-s Butch Wilmore dhe Suni Williams u rikthyen në Tokë të martën, duke përdorur një kapsulë tjetër për t’u kthyer në shtëpi dhe për të mbyllur misionin që filloi me një fluturim provë të pasuksesshëm më shumë se nëntë muaj më parë, raporton agjencia “AP”.
Kapsula e tyre SpaceX u ul me parashutë në Gjirin e Meksikës në mbrëmje, disa orë pas largimit nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar. Ulja ndodhi përpara bregut të Tallahassee në gadishullin e Floridës.
Wilmore dhe Williams përfundimisht kaluan 286 ditë në hapësirë — 278 ditë më shumë se sa ishte parashikuar kur ata u nisën. Ata rrotulluan Tokën 4,576 herë dhe udhëtuan 195 milionë kilometra deri në momentin e uljes.
“Në emër të SpaceX, mirësevini në shtëpi”, u tha nga radioja e Kontrollit të Misioneve SpaceX në Kaliforni.
Ndërkohë që astronautët të tjerë kishin regjistruar fluturime më të gjatë në hapësirë gjatë dekadave, askush nuk kishte pasur të bënte me kaq shumë pasiguri ose nuk kishte parë që koha e misionit të tij të zgjatej kaq shumë.
Misioni i tyre mori një kthesë të papritur në fund të janarit kur Presidenti Donald Trump i kërkoi themeluesit të SpaceX, Elon Musk, të përshpejtonte kthimin e astronautëve dhe i la fajin për vonesën e tyre në administratën Biden. Kapsula e re e SpaceX për ekuipazhin nuk ishte ende gati për fluturim, kështu që SpaceX e zëvendësoi atë me një të përdorur, duke e përshpejtuar procesin për të paktën disa javë.