Në episodin e lartpërmendur, Çela mirëpret inskenimin e krijuar nga Hoxha dhe shkruan se mesazhin do ta dërgonte nga një zonë të cilës ai i referohet si “zona e Çapjave”.
Artan Hoxha i kërkon Marjus Lulajt (Suel Çelës) që përveç kërcënimit në numrin e tij të telefonit personal, një mesazh kërcënues duhet të dërgohet dhe në median ku ai ishte i punësuar “Abc News”.
Kjo ishte një ndër bisedat e zhvilluara në aplikacionin SKY ECC mes gazetarit të kronikës Artan Hoxha dhe kreut të një bande kriminale Suel Çela.
E gjitha vjen pas operacionit të SPAK, i cili bëri me dije se Hoxha dhe Elton Qyno kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.
Në episodin e lartpërmendur, Çela mirëpret inskenimin e krijuar nga Hoxha dhe shkruan se mesazhin do ta dërgonte nga një zonë të cilës ai i referohet si “zona e Çapjave”.
Fisi Çapja janë rivalët dhe armiqtë e Çelës në Elbasan.
Mesazhi për kërcënimin e supozuar të Hoxhës do nisej nga zona e Çapajve pasi ky veprim do të shmangte identifikimin e dërguesit dhe, në rast të një hetimi për këtë kërcënim, qelizat e numrit nga i cili do të nisej mesazhi do të evidentoheshin në antenat e kompanive celulare në atë zonë, duke i bërë anëtarë apo bashkëpunëtorë të familjes Çapja të dyshuarit kryesorë për kërcënimin ndaj gazetarit dhe të medias në të cilën ai punon.
Sipas organit të akuzës, bisedat midis Çelës dhe Hoxhës tregojnë ekzistencën e një marrëdhënie të qartë interesi dhe përfitimi të dyanshëm.
Gazetari dyshohet se, me informacionet dhe ndihmën e Marjus Lulajt (Suel Çelës), forconte pozitat e tij në skenën mediatike si një gazetar investigativ me peshë dhe me burime të besueshme informacioni.
Në anën tjetër, për Marjus Lulajn, përfitimet nga denoncimet e gazetarit qëndrojnë në faktin se ai i vendos rivalët e tij nën trysninë e perceptimit publik, medias dhe agjencive ligjzbatuese si të lidhur me politikën apo agjencitë ligjzbatuse dhe për pasojë të pandëshkueshëm.
Kërcënimi ndaj Hoxhës në momentin që ka qenë në studion e “Opinion” me kryeministrin e vendit, do nxiste agjencitë ligjzbatuese që të reagonin më shpejtë në drejtim të “autorit” të dyshuar, kjo pasi do jepte impakt negativ në opinion publik.
Këto komunikime nxjerrin pah kontrastin me misionin e gazetarit, si përfaqësues i një pushteti të rëndësishëm, siç është media, si një zëdhënës opinionit publik, prej tij cilit pritet të hulumtojë, verifikojë dhe, më pas, të publikojë lajmin.
Në këtë rast Hoxha në bashkëpunim me Marjus Lulajn, krijon, inskenon ngjarje të paqena dhe bie dakord me variantin e Marjus Lulajt që në mënyrë të rreme të mbjellë prova me qëllim që të drejtojë përgjegjësinë e tyre penale diku tjetër.
Më datë 13.02.2020, ora 10:00 Marjus Lulaj komunikon me shtetasin Klaus Matishi të cilit i shkruan “…nuk mahet kok lopa zjarr esht…” dhe në vijim i dërgon një fotografi të publikimit në media të listës së personave të cilëve ju ka shkuar formulari për deklarimin e pasurive në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, në krye të listës qëndron emri Ardjan Çopja.
Më datë 13.02.2020, Marjus Lulaj duke pasur parasysh bisedën e ditës së mëparshme kur është vendosur të inskenohet një kërcënim për gazetarin Hoxha, komunikon me Hoxhën duke i dërguar mesazhet “…me thuaj orarin kur…ma bej nje teks ti vet me mendjen tende dhe un e modifikoj pak pastaj si thua…?”.
Në vijim, gazetari Hoxha shkon më tej se një mesazh kërcënues, ai kërkon të inskenojë diçka më të madhe ku dyshohet se i jep Marjus Lulajt instruksionet se kur duhet të dërgoje mesazhet kërcënuese, më pas Lulaj e pyet nëse dëshiron që të dërgojë dikë në Tiranë që ta fotografojë në distancë, për të përçuar idenë se Hoxha është marrë në vëzhgim nga familja Çapja.
Nga konteksti i bisedës dyshohet se Hoxha e ka realizuar vetë fotografinë dhe dërguar në SKY ECC.
Çfarë deklaroi Hoxha në emisionin “Opinion” 13 shkurt 2020
“Sot para se të vija në emision më kanë ardhur disa mesazhe. Denoncimin e kam bërë në polici, normale që e kam bërë. Çfarë kërkohej! Më kishin fotografuar kur kam dalë nga shtëpia, ku kam lëvizur gjatë ditës, se unë besoj në këtë vend. M’i kanë sjellë me mesazhe nga Anglia këto. Ky është krimi i organizuar. Nuk janë më ata. Me ata kam mbaruar punë unë. Krimi i organizuar është ky që fsheh pafund para, që ndikon dhe e ka buxhetin më të madh se Ministria juaj e Brendshme, që ka zhdukur në Vlorë 16 persona dhe nuk gjejmë dot kufomat. Me këto që dëgjoj tek ty, jam tek ty kokë e këmbë, por me ato që shoh, çfarë të bëj. Kjo është jeta që dëgjoj, nuk është ajo që dëgjoj”.
Mesazhi i parë i publikuar nga Hoxha dhe inskenuar nga ai dhe Çela
Tani,ke kaq muj qe hedh balt padrrejtesisht mbi familjen ton.tani po na fajson per lidhjeme politikan.per te miren tate ban mir qe sot perball kryeministrrit mos e permenesh ne asnje moment emrin e familjes ton.e dim ku jeton ti femijet familjaret e tu.ka ardhur koha tmash pergjegjsi.
Mesazhi i dytë
“Dëgjoni me vëmendje, ju si televizion bastard me në krye kryebastardin Tan Hoxha, ka ardhur koha të mbani përgjegjësitë për baltën që hidhni ndaj familjes sonë. Nuk është familja jonë si na prezantoni ju me Tan kur*ën. Keni një javë për një foto na ngatërroni me politikën. Të jeni të sigurt ne s’do falim asnjë që na sulmon padrejtësisht. Nëse e doni e kthejmë në personale”.