Fast Kosova në bashkëpunim me Fast Albania kanë arritur të vënë në pranga Noizyn dhe Bahtijar Bajratktarin.
Operacioni policor për kapjen e dy të kërkuarve nga autoritet e Kosovës u quajt “Fast”.
Policia shqiptare bën të ditur se Noizy do të ekstradohet në Kosovë. “Kapen nga “Fast Albania” dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për kërkimin, njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga “FAST Kosova”, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Menjëherë, “FAST Albania”, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.
Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, thuhet në njoftim.