Policia e Kosovës ka arrestuar katër serbë dje në Gjakovë, pasi gjatë një kontrolli në bagazhin e automjetit të tyre me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë.
Sipas raportit të Policisë, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje pas konsultimit me prokurorin.
Ky rast ka shqetësuar autoritetet, dhe si pasojë, një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë është mbajtur me kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen e sigurisë në vend dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë, duke përfshirë incidentin në Gjakovë.
Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, u theksua rëndësia e vëmendjes dhe gatishmërisë së shtetit ndaj këtyre veprimeve, duke shtuar se ndërhyrjet kriminale dhe tensionet që vijnë nga Serbia kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe të koordinuar nga institucionet e Kosovës.
Gjithashtu, u përmendën rrethana të tjera shqetësuese, duke përfshirë arrestimin e dy individëve të lidhur me strukturat e sigurisë së Serbisë.
Kurti gjithashtu tha se Serbia është duke ushtruar trysni të paparë ndaj serbëve të Kosovës për t’i dërguar ata në një tubim të paralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Ai shtoi se Serbia po përpiqet të eksportojë krizën në Kosovë, ndërsa vetë Vuçiqi është përballur me krizën më të madhe ndonjëherë.