Një muaj paraburgim në Serbi i është shqiptuar ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u ndalua ditë më parë në pikë kufitare teksa ishte duke udhëtuar me familjen e tij.
Sipas, Ekspertit të çështjeve të sigurisë, Avni Islami mënyra e ndalimit dhe veprimet e mëtutjeshme nga pala serbe tregon për agresivitetin e vazhduar atje.
Islami në intervistën e dhënë për emisionin “Gazeta” të Kanal10 tha se pa marrëveshje mes dy shteteve arrestimet e tilla do vazhdojnë.
“Arrestimi i pjestarit të ish-policisë së Kosovës nuk është rasti i parë e nuk besoj që do të jetë i fundit, deri në një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës. Ai ka tri vite që nuk është më pjesë e policisë së Kosovës, ka migruar në perëndim dhe është një qytetar i rëndomtë i Kosovës dhe arrestimi i tij në këtë formë, në prani të familjes tregon për agresivitetin e pushtetit aktual të Vuçiqit, i cili nuk dallon nga përmbajtja por vetëm nga forma, nga Millosheviqi”, deklaroi Islami.