Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një sasi e dyshuar e lëndëve narkotike është zbuluar mbrëmë në Podujevë, gjatë kontrollit të një veture.
Ky aksion ka çuar në një bastisje në një lokal, ku është sekuestruar një sasi më e madhe e drogës dhe para që dyshohet se janë fituar nga shitja e substancave narkotike.
Burimet kanë bërë me dije se gjatë një kontrolli fizik të pasagjerit në veturën e ndaluar, Policia u gjeti një sasi prej 0.83 gram marihuanë.
I dyshuari e pranoi se e kishte blerë drogën në lokalin “Sonn”, i cili gjendet në rrugën “Xhemajl Mustafa”.
Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, policia kreu një kontroll në lokalin e dyshuar, ku gjeti dhe sekuestroi: 9.48 gram marihuanë, dy mulli (grirëse) për bluarjen e drogës, tre pako rizlla dhe 272.5 euro, që dyshohet se janë fituar nga shitja e lëndëve narkotike.
Në lidhje me këtë rast dy persona u shoqëruan në Polici dhe u intervistuan në prani të avokatëve mbrojtës.
Të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa do të hetohen për veprat “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Rasti do të vazhdojë të trajtohet nga njësia e antidrogës.