spot_img
Monday, November 25, 2024
spot_img

Anketimi mbi ndikimin e liberalizimit të vizave në migrimin e qytetarëve: 64% nuk e mendojnë largimin nga Kosova

Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, i publikuar të hënën, vë në pah se te rinjtë në Kosovë shfaqin më shumë interesim për të gjetur një vend pune në Evropë pas liberalizimit të vizave, se sa qytetarët në moshën e mesme, ndonëse një pjesë e madhe i sheh mundësitë profesionale në Kosovë më të larta sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin “Pulsi Publik” që zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

“Për personat e moshës 16 deri në 24 vjeç, 35.6 për qind e tyre ose mendojnë ose kanë gjasa të largohen jashtë vendit në pesë vitet e ardhshme, krahasuar me 5 për qind për njerëzit nga 45 deri në 54 vjeç ose 3 për qind për njerëzit që janë të moshës 55 deri në 64 vjeç”, tha Alisa Hasani menaxhere e projektit.

Anketimi mbi ndikimin e liberalizimit të vizave në migrimin e qytetarëve u krye me një mijë e 306 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

“64.6 për qind kanë deklaruar se nuk po mendojnë të shkojnë në Evropë pas heqjes së vizave. Megjithatë, ne kemi ende, 9.8 për qind e të anketuarve që kanë deklaruar se definitivisht janë duke planifikuar për të lëvizur dhe 7.8 për qind që janë duke e konsideruar atë, që do të thotë se ose janë duke bërë plane ose janë duke parashikuar lëvizjen në Evropë”, tha Alisa Hasani.

Sipas të dhënave, qytetarët e Kosovës janë të ndarë rreth mundësive profesionale që ofrohen në Kosovë dhe në vendet e Bashkimit Evropian.

“Dhe nga të dhënat mund të shohim se 52.2 për qind ishin të kënaqur me mundësitë profesionale në Kosovë, ku 17.7 për qind ishin shumë të kënaqur dhe 13.5 për qind deri diku të kënaqur. Megjithatë, 55.6 për qind i shohin më mirë mundësitë profesionale në Bashkimin Evropian krahasuar me Kosovën dhe kur i krahasojmë këto perceptime, shohim se të anketuarit tregojnë një preferencë të qartë për mundësitë në Bashkimin Evropian, krahasuar me ata në Kosovë”, tha Alisa Hasani.

“Ne i pyetëm se pse parashikojnë të largohen për të ndjekur këto punë dhe arsyet kryesore janë pagat më të larta për 88 për qind të të anketuarve dhe mundësi më të mira punësimi për 68.4 për qind të të anketuarve”, tha Alisa Hasani.

Ekspertja për migracion, Mrika Kotorri tha se largimi i punëtorëve të kualifikuar nga Kosova nuk lidhet vetëm me çështjen e liberalizimit të vizave.

“Bashkimi Evropian ka hyrë në agjendën digjitale dhe të gjelbër dhe duke pasur parasysh këtë, ka një rritje të madhe të kërkesës për aftësi të caktuara dhe ato lidhen me sektorë të caktuar. Pra, këto mungesa në tregun e punës në Bashkim Evropian, janë ato që do të kenë ndikim në një largim të mundshëm të trurit nga Kosova”, tha zonja Kotorri.

Sipas të dhënave afër 55 për qind e të anketuarve thonë se liberalizimi i vizave do të ndikojë në rritjen e mundësive për punë e biznes dhe rritje të shkëmbimit kulturor dhe turizmit. Rreth 28 për qind thonë se shqetësim mbetet ikja e kuadrove të arsimuara mirë dhe 25 për qind e shohin si shqetësim migracionin.

Që nga një janari i këtij viti qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, tetë vjet pas marrjes së propozimit nga ana e Komisionit Evropian.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit