Google ka prezantuar risitë më të fundit të sigurisë që do të jenë pjesë e Android 16, përmes Programit të Mbrojtjes së Avancuar. Ky hap synon mbrojtjen më të madhe për përdoruesit që përballen me rrezik të shtuar nga mashtruesit, si gazetarët, zyrtarët e lartë, apo persona që mund të jenë objektiv i sulmeve kibernetike.
Aktivizimi i mbrojtjes bëhet përmes një veprimi të vetëm dhe nuk kërkon njohuri teknike. Sapo të aktivizohet, sistemet e reja të sigurisë hyjnë në fuqi dhe nuk mund të çaktivizohen lehtësisht, pasi kërkojnë autentifikim të përdoruesit.
Ndër funksionet e reja të sigurisë përfshihen, bllokimi i instalimit të aplikacioneve të rrezikshme nga jashtë Google Play, mbrojtje e thirrjeve duke bllokuar ndërhyrjet me rrezik të lartë, pamundësimi i çaktivizimit të Google Play Protect, ndalimi i qasjes në aplikacione bankare gjatë ndarjes së ekranit, një taktikë që përdorin shpesh mashtruesit.
Në partneritet me bankat britanike si Monzo, NatWest dhe Revolut, Google ka integruar mekanizma shtesë sigurie për mbrojtjen e të dhënave financiare.
Po ashtu, inteligjenca artificiale luan rol kyç në filtrimin e mesazheve mashtruese dhe aplikacioneve të padëshiruara, duke analizuar në kohë reale veprimtarinë në pajisje, qasjet e fshehta, apo edhe aplikacionet që fshihen ose ndryshojnë ikonat.
Të gjitha këto do të funksionojnë përkrah veçorive ekzistuese si Theft Detection Lock dhe Remote Lock, duke krijuar një paketë të fuqishme mbrojtjeje për pajisjet Android.