Në një botë ku kapitali dhe individët e pasur mund t’i kalojnë kufijtë lirisht, vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar mund të sigurojë që korporatat shumëkombëshe dhe të pasurit të tatohen në mënyrë të drejtë. Por Trump e refuzon dhe administrata e tij ka përqafuar kriptomonedhat.
Donald Trump po i shndërron me shpejtësi Shtetet e Bashkuara në parajsën më të madhe fiskale në histori. Për këtë mjafton të përmendet vendimi i Departamentit të Thesarit për t’u tërhequr nga regjimi i transparencës mbi identitetin real të pronarëve të kompanive; tërheqja e administratës Trump nga negociatat për krijimin e një konvente kuadër të OKB-së për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Tatimor; refuzimin e saj për të zbatuar Aktin e Praktikave Korruptive të Huaja; si dhe heqjen e shumë rregulloreve mbi kriptomonedhat.
Kjo duket se është pjesë e një strategjie më të gjerë për të hedhur në erë 250 vjet mbrojtje institucionale. Administrata Trump po shkel traktatet ndërkombëtare, po shpërfill konfliktet e interesit. Po ashtu, ajo ka çmontuar kontrollet dhe balancat dhe ka sekuestruar fondet e akorduara nga Kongresi.
Administrata aktuale nuk po debaton për politikën, ajo është duke shkelur shtetin e së drejtës. Por Trump e do një taksë: tarifat ndaj importit. Ai duket se beson se faturën po e paguajnë të huajt, duke siguruar paratë për të ulur taksat për miliarderët. Po ashtu, beson se tarifat do të eliminojnë deficitet tregtare dhe do ta kthejnë prodhimin në SHBA.
Në fakt tarifat paguhen nga importuesit, duke rritur çmimet në SHBA. Ato po vendosen në kohën më të keqe të mundshme, taksa SHBA-ja po e merrte nga një periudhë e inflacionit të lartë. Për më tepër, edhe leksionet bazë të makroekonomisë tregojnë se deficitet tregtare shumëpalëshe pasqyrojnë pabarazinë midis kursimeve të brendshme dhe investimeve të brendshme.
Ulja e taksave nga Trump për miliarderët do ta thellojë hendekun, sepse deficitet zbresin nga kursimet e brendshme kombëtare. Si për ironi, politikat si ulja e taksave për miliarderët dhe korporatat e rrisin deficitin tregtar. Që nga koha e Ronald Reagan, konservatorët kanë deklaruar se ulja e taksave e nxit rritjen ekonomike.
Por nuk funksionoi kështu për Reganin, dhe as për Trumpin gjatë mandatit të tij të parë. Studimet empirike, kanë konfirmuar se uljet e taksave për të pasurit, nuk kanë ndikim të matshëm në rritjen ekonomike apo papunësinë. Nga ana tjetër, ato rritin menjëherë dhe vazhdimisht pabarazinë në të ardhura.
Vetëm zgjatja e propozuar e Aktit të Shkurtimeve të Taksave dhe Vendeve të Punës në vitin 2017 – ulja më e madhe e taksave mbi korporatat në historinë e SHBA – do të shtojë me rreth 37 trilion dollarë borxhin kombëtar të SHBA-së gjatë 30 viteve të ardhshme, pa ofruar nxitjen e premtuar të rritjes ekonomike.
Me politikat e tij Trump po e thellon deficitin tregtar edhe në nivelin mikroekonomik. SHBA-ja është bërë një ekonomi shërbimi. Ndër eksportet e saj më të mëdha janë turizmi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor. Por Trump e ka minuar sistematikisht secilin prej tyre.
Cili turist, student apo pacient do të dëshironte të vinte në SHBA, duke e ditur se mund të ndalohej në mënyrë arbitrare që në aeroport dhe të mbahej në burg për javë të tëra? Dëmtimi i institucioneve kryesore arsimore të Amerikës, anulimi arbitrar i vizave studentore dhe zhvlerësimi i kërkimit shkencor, kanë lënë në hije këta sektorë jetike.
Qasja strategjike e Trump, po tregon që tani shenjat e dështimit. Kina është një nga partneret më të mëdha tregtare të Amerikës, dhe SHBA-ja varet prej saj për importe me të rëndësishme. Kina po i kundërpërgjigjet tarifave. Frika nga stagflacioni – inflacion i lartë, i kombinuar me një rritje ekonomike të dobët – i ka goditur tregjet e aksioneve dhe obligacioneve.
Dhe ky është vetëm fillimi. Për shkak të Departamentit të Efiçencës së Qeverisë të drejtuar nga Elon Musk, të ardhurat nga taksat mund të bien me mbi 10 për qind këtë vit për shkak të mënyrës së zbatimit.
Një reduktim me rreth 50.000 punonjës i organit kryesor tatimor, IRS do sillte humbjen e rreth 2.4 trilion dollarë të ardhura gjatë 10 viteve të ardhshme, krahasuar me rritjen e parashikuar prej 637 miliardë dollarësh sipas dispozitave të Aktit për Reduktimin e Inflacionit, që synonte të rriste numrin e agjentëve të IRS.
Axhenda është e qartë: jo vetëm norma më të ulëta taksash për të pasurit, por zbatim më të dobët të ligjit. Në një botë ku kapitali dhe individët e pasur mund të kalojnë lirisht kufijtë, bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja mënyrë që korporatat shumëkombëshe dhe super të pasurit të tatohen në mënyrë të drejtë.
Në këtë kontekst, ndalimi i mbledhjes së të dhënave të pronësisë, tolerimi i tregjeve të kriptomonedhave që e vështirësojnë anonimitetin, dhe braktisja e procesit për të hartuar një konventë të re tatimore të OKB-së, dhe një taksë minimale globale, na zbulojnë një model të qëllimshëm: çmontimin e kornizave shumëpalëshe të krijuara për të luftuar shmangien e taksave dhe pastrimin e parave.
Ajo që po shohim është një përpjekje e dukshme e Trump, Musk dhe miqve të tyre miliarderë për të krijuar një lloj kapitalizmi të modeluar sipas parajsave fiskale. Ky është një sulm i gjithanshëm ndaj çdo ligji që kërcënon akumulimin ekstrem të pasurisë dhe pushtetit. Dhe kjo nuk është askund më e dukshme se sa në përqafimin e tyre të kriptomonedhave.
Lulëzimi i madh i shkëmbimeve të parregulluara të kriptove, kazinove në internet dhe platformave të basteve online e ka nxitur zgjerimin e mëtejshëm të ekonomisë së paligjshme globale. Nën drejtimin e Trump, Departamenti i Thesarit ka anuluar sanksionet dhe rregulloret mbi platformat që fshehin transaksionet.
Madje Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të krijuar një “rezervë strategjike të kriptomonedhës”, dhe ka mbajtur samitin e parë të kriptomonedhave në Shtëpinë e Bardhë.
Senati ndoqi shembullin pak më vonë duke shfuqizuar një dispozitë që kërkonte që platformat e kriptove të identifikonin dhe raportonin përdoruesit.
Trump, që ka emetuar vetë një kriptomonedhë të diskutueshme, ka vendosur në krye të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim njeriun e tij të besuar Paul Atkins. Kriptomonedhat kanë të bëjnë me një gjë: fshehtësinë. Ne kemi monedha shumë të mira si dollari, jeni, euro etj.
Po ashtu kemi platforma efikase tregtare për blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Kërkesa për kriptomonedha buron nga dëshira për të fshehur para. Njerëzit e përfshirë në aktivitete të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe shmangien e taksave, nuk duan që ajo që bëjnë të jetë lehtësisht e gjurmueshme.
Por pjesa tjetër e botës nuk mund të rrijë duarkryq. Ne kemi parë se bashkëpunimi global mund të funksionojë. Dhe kjo nga taksa minimale globale prej 15 për qind mbi fitimet e korporatave shumëkombëshe, e cila po vendoset nga më shumë 50 vende.
Brenda G20, konsensusi i arritur vitin e kaluar nën udhëheqjen e Brazilit, kërkon që të pasurit të paguajnë pjesën e tyre të drejtë. SHBA është distancuar nga marrëveshjet ndërkombëtare, por paradoksalisht, mungesa e diplomacisë së saj mund të ndihmojë në forcimin e negociatave shumëpalëshe për të dhënë një rezultat më ambicioz.
Dikur, SHBA kërkonte që një marrëveshje të dobësohej (zakonisht për një interes të veçantë), por në fund e refuzonte nënshkrimin. Kështu ndodhi edhe gjatë negociatave të OECD-së për taksimin e korporatave shumëkombëshe. Tani, pjesa tjetër e botës mund të vazhdojë përpara me hartimin e një arkitekture të drejtë dhe efikase tatimore globale.
*Shënim: Joseph E.Stiglitz, fitues i çmimit Nobel në ekonomi dhe profesor në Universitetin e Kolumbias. Me herët ka qenë krye-ekonomist i Bankës Botërore dhe kreu i Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit të SHBA-së.