Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë kompromis në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas tij, “të dyja palët duhet të fokusohen në dobitë afatgjate”.
Lidhur me këtë, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se “marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit mbeten të vlefshme dhe plotësisht të detyrueshme në tërësinë e tyre, duke vendosur një kornizë të qartë për procesin e dialogut”.
Tutje, ambasada theksoi se i tërë suksesi i dialogut varet nga përkushtimi i Kosovës dhe i Serbisë për t’i shndërruar marrëveshjet në veprime të prekshme.
“Të dyja palët kanë gjetur kompromis në marrëveshjet e arritura. Hapat e mëtejshëm janë përcaktuar në këto dokumente dhe është e domosdoshme të fokusohemi në zbatimin e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia kanë riafirmuar publikisht përkushtimin e tyre për zbatimin e shpejtë dhe të plotë në vitin 2024, edhe në kuadër të planit të rritjes së BE-së. Suksesi i dialogut varet nga përkushtimi i Kosovës dhe i Serbisë për t’i shndërruar marrëveshjet në veprime të prekshme”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë.