Shkruan Enver Bytyçi
Kreu i shtetit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte për vizitë në SHBA. Me ndërmjetësinë e miqve të tij të biznesit ai do do të takohej edhe me presidentin Donald Trump. Por nuk do të takohej në zyrën ovale. Sepse ajo zyrë i kujtonte djersët e ftohta të shtatorit 2020. Thoshte se do ta takonte zotin Trump, por në rezidencën e tij shumë larg Uashingtonit. Në fakt, papritmas ai ia hipi avionit dhe u kthye në Beograd. Pa takuar asnjë nga përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë e madje as edhe të DASH. Alibia u gjend. U tha se presidenti “ishte sëmurë”! Dhe ashtu “sëmurë” do të udhëtonte mbi 9 orë, në vend që të kurohej te ndonjë qendër mjekësore ose spital modern në SHBA.
Një veprim shumë i trashë, një alibi krejt e pabesueshme. Por megjithatë Aleksandër Vuçiq ka qenë gjithmonë i sëmurë. Sëmundjet e tij janë sëmundje të shëndetit mendor. Nuk besoj se një njeri normal në moshë të re, siç ishte Vuçiq në vitin 1995, do të bënte thirrje publike “Të vriten 100 muslimanë për një serb të vrarë”! Ne shqiptarët e kemi dëgjuar këtë në kohën e diktaturës, kur na thuhej se “në rast agresioni ne duhej të vrisnim 100 armiq për një shqiptar të vrarë”! E thoshte edhe Hitleri në kohën e gjëmës së vet. Ndërsa në Serbi nuk e artikuloi këtë maksimë vrastare e mizore as më i pashpirti, Sllobodan Milosheviç, E artikuloi një 30 vjeçar, Aleksandër Vuçiq. Dhe ende nuk ka kërkuar ndjesë për këtë.
Të sëmurët mentalë bëjnë plane të mëdha. Duan vend në historinë e kombeve e madje edhe të kontinenteve dhe të globit tokësor. Ka prej tyre që ëndërrojnë një vend të posaçëm në historinë e sistemit të galaktikës, psh në mesin e ufove. Dy prej këtyre ne i njohim: – Janë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Njëri thoshte se “do bëhej Tito i Ri”, tjetri se do bëhej “lider global”. Njëri imitonte diktatorin jugosllav si “udhëheqës i të paangazhuarve”, tjetri diktatorin Hoxha me paranojën e të qenit “udhëheqës i proletariatit në botë”! Vuçiq vuan po aq sa edhe Rama nga kjo sëmundje mentale dhe nuk zgjedh as mjetet për të qenë “nyja lidhëse e zgjidhjes së konflikteve të mëdha”, madje midis më të fuqishmëve të botës së sotme. Ndërsa Rama në rastin e të qenit të Shqipërisë anëtare e Këshillit të Sigurimit, imitoi liderin e tij shpirtëror në Mbledhjen e 81 partive koministe në Moskë në vitin 1960.
Aleksandër Vuçiq me sëmundjen mendore të çmendurisë për lavdi, prestigj e pushtet kishte parë ëndërr se mund të bëhej “ndërmjetës i Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin”! Ndaj donte ta takonte presidentin amerikan. Ta gënjente se “po punon për Amerikën e për paqen” dhe me ketë alibi të zinte një vend më 9 maj në tribunën e manifestimeve për 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin në Sheshin e Kuq të Moskës. Donte bekimin e zotit Trump për të shkuar në Moskë. Nuk e mori këtë bekim. Dhe dihet se pse nuk mundi të takohej me Donald Trump.
Së pari, se presidenti amerikan e di që Aleksandër Vuçiq bën lojë të shumëfishtë. Amerikës i thotë se “jam me ju”! Rusisë i thotë se “Serbia kurrë nuk e tradhton vëllain e saj të madh”! Europës i thotë se “është paqësor” dhe se “dëshiron stabilitetin rajonal e kontinental të saj”! Ndërkohë që “i dhemb dora e djathtë e nuk mund të firmosë” një marrëveshje paqe e stabiliteti me Kosovën, Të gjithë aktorët ndërkombëtarë i ka gënjyer prej më shumë se një dekade. Siç ka bërë edhe sivëllai i tij në Shqipëri, Edi Rama. Tani Vuçiq, ashtu si Rama, ndodhet përballë mosbesimit të thellë. I ka zhgënjyer të gjithë partnerët perendimorë. Madje edhe aleatin strategjik të tij, Vladimir Putin. Sepse duke flirtuar me Perendimin, ka “tradhtuar” miqësinë serbe me Rusinë. Prandaj dhe Moska promovoi besnikët e saj në Beograd, si Aleksandër Vulin dhe Ivica Daçiq.
Së dyti, presidneti i Serbisë ndodhet nën presionin e protestave të studentëve dhe qytetarëve të tjerë kundër tij. Kjo është një arsye madhore që presidenti amerikan ta refuzonte takimin e përfolur me presidentins serb.
Së treti dhe kryesore:- Presidenti Trump është i përkushtuar për paqen. Nëse ne nuk na pëlqejnë metodat që ai përdor, kjo nuk e zhbën faktin se Donald Trump ka për synim paqen dhe stabilitetin në rastin e luftës në Ukrainë dhe gjetkë. Por ai nuk mund të mbështetet te një president paranojak i tipit ballkanik, si Aleksandër Vuçiq, për synimet e tij madhore. Vetë Vuçiq është faktor destabiliteti dhe konflikti në rajonin e Europës Juglindore. Do të ishte mralisht e dëmshme, që presidenti amerikan t’i jepte kredite një zjarrvënësi si Aleksandër Vuçiq.
Ka edhe shumë arsye të tjera, pse Donald Trump e refuzoi takimin me Aleksandër Vuçiq. Mund të jenë dhe raportet e përkeqësuara të kreut të shtetit serb me Bashkimin Europian. Dhe të gjitha këto arsye janë shumë, më shumë se e kap logjika njerëzore, për ta refuzuar presidentin Vuçiq! Shkurt: – Aleksandër Vuçiq u refuzua për takim nga Donald Trump, sepse ai vazhdon ta vuajë të njëjtën sëmundje mendore, të cilën e kishte shfaqur në vitin 1995 në sallën e parlamentit të Serbisë.