Halil Geci ka përgëzuar Albin Kurtin për veprimet e tij të ndërmarra për veriun e Kosovës.
Ai në një postim në Facebook u shpreh se Kurti është politikani i parë shqiptar dhe i fundit që e ka lexuar mirë dhe saktë gjeopolitikën ndërkombëtare dhe ka vepruar në interes të shqiptarëve.
“Veprimet e Kurtit në veri kanë qenë të domosdoshme për forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe parandalimin e skenarëve të rrezikshëm, të ngjashëm me Ukrainën, që do të ndodhnin po të mos kishte një qasje të qartë dhe të vendosur shtetërore”, shkroi ndër të tjera Geci.
Shkrimi i plotë
Sovraniteti mbrohet me veprime, jo me kompromis o zuzarë
Albin Kurti është politikani i parë shqiptar dhe i fundit që e ka lexuar mirë dhe saktë gjeopolitikën ndërkombëtare dhe ka vepruar në kohë për mbrojtjen e plotë të interesave kombëtare shqiptare.
A e kuptoni tani se Kurti i ka parashikuar me saktësi zhvillimet dhe sfidat me të cilat po përballemi? Imagjinoni sot situatën në veri të Kosovës po të mos ishin ndërmarrë hapat e guximshëm dhe strategjikë nga qeveria e tij. Sot, Serbia do të ishte këmbëkryq te ura në veri, dhe ndërkombëtarët do të na trajtonin njësoj si Ukrainën, të cilës po i thonë: “Aty ku hyri Rusia, do të mbetet e Rusisë. Nuk ka llogari të bëhet luftë për një të pestën e territorit ukrainas.”
Po të mos kishte ndërhyrë Kurti, e njëjta gjë do të ndodhte edhe me ne. Sot në veri kanë mbetur vetëm disa grupe të vogla, që vazhdojnë të provokojnë dhe të sulmojnë me gurë, ashtu si opozitarët që kanë dalë në mbrojtje të tradhtive ndaj atdheut, duke mbështetur “Zajednicën”, të cilën ia kanë bërë tapi Rankoviçit si amanet të tij.
Po të kishin mundësi, opozitarët do të ishin bërë krah i “brigadës” së veriut, duke sulmuar policinë tonë njësoj si Lista e Radojçiçit.
Veprimet e Kurtit në veri kanë qenë të domosdoshme për forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe parandalimin e skenarëve të rrezikshëm, të ngjashëm me Ukrainën, që do të ndodhnin po të mos kishte një qasje të qartë dhe të vendosur shtetërore.