Alban Zogaj ka dorëzuar sot dorëheqjen nga pozita e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, duke njoftuar se do të marrë detyrën e re si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Zogaj e ka vlerësuar mandatin e tij në krye të Prishtinës, duke thënë se e ka mbajtur atë me “nder, përkushtim dhe dashuri të thellë për qytetin”.
Ai ka falënderuar ekipin me të cilin ka bashkëpunuar gjatë tri viteve të kaluara, si dhe kryetarin Përparim Rama dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mbështetjen dhe bashkëpunim.
“Dorëheqja ime vjen si rezultat i zgjedhjes sime si Deputet në Kuvendin e Kosovës – një përgjegjësi e madhe që e pranoj me përulësi e përkushtim të plotë”, ka shkruar Zogaj, duke shtuar se besimi i qytetarëve është motivi më i madh për të vazhduar shërbimin publik në një nivel tjetër.
Zogaj ka siguruar se, edhe pse po largohet nga pozita e nënkryetarit, Prishtina do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.
Ai e ka cilësuar këtë si një “kthesë të re në rrugën e shërbimit publik” dhe ka falënderuar qytetarët e Prishtinës për mbështetjen e tyre.
Postimi i plotë:
Sot kam dorëzuar dorëheqjen time nga pozita e Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës – një detyrë që e kam mbajtur me nder, përkushtim dhe dashuri të thellë për qytetin tim.
I jam pafundësisht mirënjohës ekipit me të cilin ndamë çdo sfidë dhe çdo sukses gjatë këtyre tri viteve. Bashkë kemi punuar me zemër, për Prishtinën që e duam të gjithë. Faleminderit Kryetarit Përparim Rama për besimin dhe bashkëpunimin. Nje falenderim i vecantë për Kryetarin Lumir Abdixhiku dhe gjithë ekipin e LDK-së. Faleminderit qytetarëve të Prishtinës që më kanë mbështetur në çdo hap.
Dorëheqja ime vjen si rezultat i zgjedhjes sime si Deputet në Kuvendin e Kosovës – një përgjegjësi e madhe që e pranoj me përulësi e përkushtim të plotë. Besimi i qytetarëve është shtysa ime më e madhe për të vazhduar punën në një nivel tjetër, tash për të gjithë Kosovën.
Prishtina do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Kjo nuk është një lamtumirë – është vetëm një kthesë e re në rrugën e shërbimit publik.