Raportimin për një rast të plagosjes aksidentale që ndodhi në familjen e deputetit të zgjedhur Haxhi Avdyli, e konfirmoi vet ai, por më pas shpërtheu në ofendime ndaj redaksisë. Vëllai i tij, Naser Avdyli, para rreth dy javësh e ka plagosur nipin e tij, djalin e Haxhiut, me një pushkë ajrore ilegale. Për këtë incident, janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndërsa media ka kontaktuar edhe vet deputetin Avdyli.
Fillimisht, Avdyli thotë se arma me të cilën është plagosur djali i tij është ‘sportive’, por më pas e pranon se i biri ka pësuar lëndime të lehta.
Duke tentuar ta arsyetojë vëllain, ndaj të cilit është iniciuar rast ëpr shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe për armë ilegale, ai thotë se pushka të cilën e ka përdorur Naser Avdyli, “as zogun nuk e vranë”.
“Jo, jo, nuk janë ato plagosje, ajo është armë sportive, nuk janë armë të vërteta. Normalisht ajo është plagosje e vogël. Ajo është armë sportive, e padëmshme. Janë lëndime të vogla, që nuk ka kurrfarë rëndësie. Djali është shumë mirë, ka shku në shpi menjëherë. Pra nuk është armë, është pushkë ajrore. As zogun nuk e vranë ajo, është pushkë ajrore.”
Për të mos mbaruar me kaq, deputeti që arriti të fitojë një mandat tjetër në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka shpërthyer në ofendime ndaj redaksisë së Sinjalit.
Edhe pse vet e konfirmoi incidentin e vëllait, ai akuzoi se po bëhen shpifje, e më pas u drejtua me fjalët “ju jeni kazan plehu, kazan i mbeturinave” dhe fjalë të tjera – e më pas e ndali telefonin.
“A kaq po iu intereson juve kjo punë a qysh. Ju a din çka jeni, qysh është puna e juaj, ju jeni veç një kazan që merreni me shpifje, që shpërndani mbeturina, qikaq ma shumë nuk jeni. Edhe ma kurrë nuk ki nevojë me thirrë. Kjo s’është plagosje. Ju jeni kazan që merreni me sene, ju Sinjali jeni kazan plehu, që veç plehnoni”. Kazan i mbeturinave që shpërndani dezinformata, I ndotni njerëzit. Edhe baju…”.
Megjithatë, raportimi i Sinjalit është i mbështetur edhe në përgjigjen e Prokurorisë, që e konfirmon se se rasti po hetohet dhe janë në fazën e grumbullit të provave.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin prokurori i çështjes pasi që ka marrë informatën nga policia dhe ka siguruar të gjitha provat materiale, ku në bazë të tyre bëhej fjalë për plagosje aksidentale me pushkë ajrore, ka inicuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me këtë rast është sekuestruar pushka ajrore.
Aktualisht, rasti është në punë dhe është në fazën e mbledhjes dhe grumbullimit të provave relevante, të cilat do t’i kontribuojnë ndriçimit të plotë të këtij rasti.” – kanë thënë nga Prokuroria.