Intervista e Arben Ahmetajt duket se ka shkaktuar tërmet në Partinë Socialiste dhe qeveri. Ahmetaj këtë herë bëri deklarata të forta, duke shënjestruar drejtpërdrejt kryeministrin.
Ahmetaj tha se Rama pi verë 33 mijë euro shishja, teksa shkon nëpër qendra detoksi 10 mijë euro java. Po ashtu tregoi se si kunati i kryeministrit ka marrë pafund tenderë, teksa u ndal dhe tek aferat me rrugët.
Akuzat e tij duket se kanë rënë si bombë në PS, pasi sot mediat dhe gazetarët pranë Ramës kanë dalë ta sulmojnë. “Opinion” i ka kushtuar një emision të tërë, ku shumica e panelistëve u vunë në sulm ndaj Ahmetajt. Sandri, kur foli Ahmetaj nuk dha asnjë gjysmë fjale nga intervista e tij, ndërsa sot i kushton një emision të tërë.
Por përveç kësaj, të ftuar ishin dy marionetat e kryeministrit, Baton Haxhiu dhe Iris Luarasi.
Batoni njihet si zari i kryeministrit Rama, i cili e përdor sa herë i duhet. Rama përdor Batonin për të sulmuar Veliajn, Ahmetajn dhe të gjithë ata që i prishin gjumin. Batoni dukej shumë i irrituar nga qendrimet e Ahmetajt, duke u kërkuar shqiptarëve të mos e besojnë se ai është në arrati dhe nuk mund të besohet një i arratisur. Për Batonin, shkresat që kishte Beni mbi tavolinë ishin kot, pasi vetë Batoni e di mirë se çfarë vere pi kryeministri.
“Në secilën qeveri ka eksponentë politikë që janë edhe të korruptuar. Unë mund të them, Edi Rama e ka një vizion për Shqipërinë dhe ai vizion është një prej më të mirëve që Shqipëria ka pasur. Brenda këtij vizioni politik, ky vizion ka korrupsion brenda.
Për Arben Ahmetajn, po flasim për një njeri të zhgënjyer, një njeri me faje që kanë nisur në vitin 2013 dhe janë në publik më 2017. Nëse ju kujtohen konferencat për shtyp të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës kur PS merrte pushtetin si e vetme. LSI ka qenë brenda projektit të inceneratorit, beteja ka filluar atëherë dhe pastaj ka derivuar ku jemi sot. Është shumë kontradiktor, i mllefosur. Më së pari, është njeri që do ta amnistojë veten dhe në secilën e gjen një hapësirë për të amnistuar dikë tjetër dhe për të rrënuar dikë tjetër”, tha Baton Haxhiu.
Po ashtu në emision ishte dhe marioneta tjetër e kryeministrit, Iris Luarasi. Edhe pse e spostuan nga gara për drejtoreshë të RTSH, ajo vijon t’i lëpihet qeverisë. Edhe për Irisin, Ahmetaj nuk duhet besuar. Se çfarë duhet të thoshte më shumë ish-zv/kryeministri ec e merre vesh.
“Unë nuk pashë asnjë fakt. Zoti Ahmetaj në 200 minuta intervistë, nxirrte letra, hiqte letra. Nuk pamë një letër në kamera. Ne dëgjuam narrativën e zotit Ahmetaj, por në fakt nuk e pamë. Për 200 minuta që pashë emisionin, nuk pashë fakte”, tha zonja.
Por fakti që një televizion kombëtar është angazhuar i gjithi për të sulmuar Ahmetajn dhe Rama ka nxjerrë dy prej marionetave të tij më të besuar, tregon qartë se deklaratat e tij kanë shkundur nga themelet PS-në. /Pamfleti