Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ‘Turneun e Ndryshimit’ në Suharekë, tha se populli i Kosovës është i lirë dhe me ëndrra të mëdha. Ai tha se në këto ëndrra të mëdha tona, ne gjejmë njëri tjetrin. “Atë që e keni afër tani; jo si copëza të një shoqërie të ndarë, por si qytetarë të një Republike krenare, si një popull, nën një flamurin, nën një fat të përbashkët. Ky fat i yni nuk farkëtohet nga frika, por përcaktohet nga shpresa”, tha ai.
I pari i LDK-së tha se nuk qëndron para qytetarëve për të thënë se Kosova është e varfër. Sipas tij, ankesat janë për të dobëtit, puna është për të fortit. “Sot qëndroj para jush me zotimin për një ambicie të madhe. Një që ju fton juve dhe secilin tjetër të besojnë në Kosovë. Ky vend i pasurive përrallore, i njerëzve të shkëlqyeshëm e familjeve punëtore, ka një tregim të bukur përpara. Ky tregim na vjen si thirrje e gjyshërve tanë e si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ky tregim na thërret që të bëhemi të barabartë mes popujve e kombeve evropiane”, tha Abdixhiku.