Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku është takuar me zëvendësambasadoren amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
Abdixhiku ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qeveria e re e prirë nga LDK-ja do të rikuperojë plotësisht relacionet me SHBA-në dhe administratën amerikane.
“Pas ambasadorit britanik, në takim prita të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-ve, dhe njëkohësisht zëvendës ambasadorën, Anu Prattipati”, ka njoftuar Abdixhiku.
“Prattipati e njoftova për momentumin e mirë politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës në prag të zgjedhjeve, si dhe mbi rrjedhën e fushatës sonë”, ka thënë ai.
“Përcolla dhe zotimin tonë se pas 9 shkurtit, Qeveria e Re e Kosovës, e udhëhequr nga LDK, do t’i rikuperojë në plotni relacionet me SHBA-të dhe administratën amerikane”, ka shtuar Abdixhiku.
Sipas tij, Kosova e pavarur e sovrane, e anëtarësuar në BE e në NATO, e me miqësi të përhershme me SHBA-të, ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, do të jetë misioni ynë nesër.
“Siguria, energjetika, ekonomia e teknologjia e Kosovës do të mbështeten eksluzivisht në partneritetin e ngushtë që populli i Kosovës, LDK e Republika e Kosovës do të kenë me SHBA-të”, ka thënë ai.