spot_img
Thursday, March 6, 2025
spot_img

A reagoi Limaj pas deklaratës së Kurtit për koalicione

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i numëron votat e fundit, ndërsa partitë politike e dinë tashmë se nga sa deputetë do të kenë në legjislaturën e re të Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje ka 40.21% të votave aktualisht dhe pritet t’i ketë 48 deputetë në Kuvend, të pamjaftueshëm për ta krijuar vetëm me pakicat joserbe qeverinë e re.

Kryeministri Albin Kurti tha të martën se po e presin certifikimin e rezultateve, por se qëndrimet ndaj kundërshtarëve politikë i kanë të njëjta, pasi u pyet për ofrimin e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj për t’u futur në një koalicion qeverisës me partinë e tij.

“Së pari, ne e presim certifikimin e rezultateve dhe më pastaj do të ulemi dhe të shikojmë për rrugën përpara, mirëpo nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë sonë dhe kundër Lëvizjes Vetëvendosje, por ne kemi dalë fitimtarë dhe fitimtari duhet e do ta formojë qeverinë e re”, tha ai para mediave në Gjilan, ku shkoi për ta vënë gurthemelin e një çerdheje.

Atje, kryeministri shkoi duke shpërfilluar urdhrin e Gjykatës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore, pasi më herët i kishte refuzuar edhe tri ftesa nga Prokuroria për këtë. Prokurorinë e quajti “pasive” dhe “të njëanshme”, ndërsa tha se “në mandatin e ardhshëm bëhet edhe Byroja, në mandatin në vijim bëhet edhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, por gjithashtu reformohet sistemi i drejtësisë”.

Partitë nuk kanë lëvizur ende për të diskutuar me njëra-tjetrën për koalicionin qeveritar, i cili duket se do të jetë i pashmangshëm.

Albin Kurtit do t’i duhet të gjejë një partner nga ana e opozitarëve, të cilët i quajti “hajvanë” kur partia e tij doli e para në zgjedhje.

Fatmir Limaj u vetofrua disi, duke e thyer para dy javësh një heshtje disaditore të partive politike që po prisnin të merrnin vesh se sa ulëse në Kuvend po i merrnin.

Ai dhe dy anëtarë tjerë të Nismës do të jenë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit dhe ai tha se me AAK-në, me të cilën garoi së bashku në koalicion, janë “parti të ndara”, ndërsa shtoi se është i interesuar t’i realizojë “objektivat” që i ka pasur ky koalicion “edhe me të tjerët”.

“Zotëria i ka fitu 40%. Duhet me punu edhe me të, në çfarëdo pozite që jemi”, ka deklaruar Limaj më 20 shkurt duke thënë se do të bëjë përpjekje që vendi të mos shkojë në zgjedhje sërish.

Ai nuk ka folur pas deklaratave të djeshme të Kurtit.

Sot është dita e fundit kur duhet të shpallen rezultatet përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas një plani të hartuar paraprakisht. Sipas atij plani, më së largu deri më 18 mars duhet të bëhet certifikimi i rezultateve.

Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në atë seancë duhet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetari.

Presidentja më pas duhet t’i nisë konsultimet me partitë politike për qeverinë. Në rast se dy përbërje të qeverisë nuk e marrin shumicën në Kuvend (61 nga 120 vota), ajo duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit