Të fundit informacione publike që diheshin deri më sot për të mirënjohurin e Policisë, Dukagjin Nikollaj, ishin nga ikja e tij prej vendit të krimit në “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbet i vrarë Kastriot Ramadani.
Që nga 4 gushti i vitit 2023, Nikollaj u bë i pakapshëm për ogranet e rendit, teksa kërkohej si i dyshuari kryesor për përfshirjen në sulmin me armë zjarri në lokalin e lartëcekur.
Që nga atëherë Policia e Kosovës në mungesë të informacioneve ka kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për kapjen e tij.
Teksa sot, në mediat vendore u raportua se i lartëpërmenduri ka rënë në prangat e Policisë në Madrid të Spanjës.
Sipas të njëjtave raportime të pakonfirmuara zyrtarisht, Duka është arrestuar tash e disa ditë.
Akuzat që e rëndojnë Dukën nga organet e Drejtësisë në Kosovë, janë si në vijim:
-Implikim në veprat penale vrasja e rëndë në tentativë,
– Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,
-Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm,
-Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Ndonëse tashmë raportohet se i njëjti ka rënë në duart e Policisë spanjolle, a pritet ekstradimi i tij, pasi Spanja nuk e njeh Republikën e Kosovës?
Sipas ligjeve ndërkombëtare, ekstradimi i një personi mund të ndodh vetëm nëse ekziston një marrëveshje ekstradimi ndërmjet dy shteteve të përfshira.
Kosova dhe Spanja nuk kanë një marrëveshje të tillë.
Spanja është e njohur për ndjekjen e procedurave të ekstradimit vetëm për ata individë që janë të dënuar për vepra kriminale të rënda dhe që kanë një kërkesë të bazuar në ligje ndërkombëtare.
I përfshiri në botën e krimit, 40-vjeçari i cili njihet me nofkën “Duka”, rezulton si njëri nga shqiptarët më të kërkuar nga FBI, pasi ka të kaluar kriminale në SHBA.
Ai dyshohet të jetë i pjesë e një prej bandave të krimit, e cila bën trafikimin e sasive të mëdha të marijuanës.
Sipas njohurive për të, blerjen e drogës ai së bashku me grupin e bënin në Kanada, për ta bërë shpërndarjen e saj në New York.
Sipas Byrosë Federale të Hetimeve e njohur si “FBI”, Duka u shpall në kërkim në maj të vitit 2010 nën akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike.