Wednesday, April 2, 2025
spot_img

A mundet vërtet Franca të udhëheqë “Perëndimin e vogël”?

“Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”, shkroi dikur Charles de Gaulle, por edhe pa të, vendi ia doli disi të ecë përpara për dekada të tëra. Ndërsa iu pakësua fuqia, i mbeti vetëm dekori madhështor. Shumë zyrtarë francezë (përfshirë presidentin) punojnë sot në ish-pallate apo kështjella madhështore.

Paradat ushtarake të përvitshme me rastin e Ditës së Bastijës, janë të denja për një superfuqi. Parisi e ushqeu gjithmonë fantazinë, se amerikanët që do të ktheheshin në një ditë në shtëpinë e tyre, dhe në atë moment kombi madhështor francez do të dilte nga pensioni dhe rikthehej në krye.

Dhe në një mënyrë të frikshme, Donald Trump po e bën realitet atë fantazi. Sot Franca aspiron të udhëheqë atë që mund ta quani “Perëndimi i vogël”. A do të mundet vërtet? Për këtë çështje kam biseduar së fundmi me zyrtarë francezë, disa prej të cilave punojnë në dhomat e shekullit XVIII me tavanet plot gdhendje.

Francezët po e përgëzojnë veten që kanë pasur të drejtë gjatë gjithë kohës për “autonominë strategjike”, doktrinën e tyre sipas të cilës Evropa nuk duhet të mbështetet më tek SHBA-ja për sigurinë e saj. Megjithatë, atyre u është dashur të rimendojnë në panik e sipër, sepse kanë gabuar ë diçka po aq të madhe: miqësinë me Vladimir Putin.

Trajtimi i Moskës si një kundërpeshë ndaj Uashingtonit, daton që nga koha e De Gaulle. Edhe pse nuk e pëlqente si vend BRSS (“gatimi aty është i paimagjinueshëm”), ai iu drejtua Kremlinit për një aleancë.

Po kështu bëri Emmanuel Macron, me miratimin e oficerëve të ushtrisë konservatore franceze pro-putiniste. Disa ditë para se Putini të pushtonte Ukrainën në vitin 2022, inteligjenca franceze thoshte ende se ai nuk do ta hidhte atë hap.

Dhe ditën që e bëri këtë, Volodymyr Zelenskyy i telefonoi Macronit dhe i kërkoi t’i thoshte që t’i thoshte “Ndal!” mikut të tij. Tani Franca shpreson të drejtojë Perëndimin anti-Putin. Por nuk mund ta bëjë këtë përmes fuqisë ushtarake.

“Franca ka gjithmonë një hendek midis ambicies dhe mjeteve që ka në dispozicion”, thotë Guillaume Lagane i Universitetit Sciences Po. Ajo renditet e nënta në botë për shpenzimet ushtarake. I kushton mbrojtjes vetëm 2.1 për qind të PBB-së, ose 1.6 për qind nëse nuk përfshihet pensionet ushtarake.

Ajo është vërtetë krenare që ka të vetmen ushtri në Evropë me përvojë luftarake të kohëve të fundit, por kjo kryesisht në Sahel. Ajo u detyrua të largohej edhe nga atje në vitin 2023, ashtu siç ka dështuar në shumicën e luftërave që nga viti 1940.

Franca ka një ushtri të kompletuar, të pajisur për të gjitha llojet e luftës, por në miniaturë. Për shembull, mund të grumbullojë ndoshta 5.000 trupa luftarake kundër Rusisë, aspak të mjaftueshme për t’i bërë përshtypje Putinit.

Marina e saj, e financuar pjesërisht për të subvencionuar industrinë e mbrojtjes, nuk do të ishte shumë e dobishme në një luftë evropiane tokësore. Franca thotë se do t’u ofrojë fqinjëve “ombrellën e saj bërthamore”, por ajo ka afërsisht 300 bomba bërthamore, në krahasim me 5580 që zotëron Rusia.

Ajo dëshiron të dyfishojë shpenzimet në mbrojtje, por aktualisht është zhytur në një krizë buxhetore. Franca e di se nuk mund të jetë “grushti” i Perëndimit. Në vend të kësaj, ajo aspiron të jetë “truri” dhe “goja”.

Parisi mendon se ka kulturën strategjike më të sofistikuar të Evropës. Presidenti i saj mund të flasë, në anglisht (ndryshe nga disa nga paraardhësit e tij), me thuajse çdo udhëheqës të huaj, nga Benjamin Netanyahu te mullahët e Iranit dhe Xi Jinping i Kinës.

Zyrtarët francezë thonë se Macron flet çdo dy ditë me Donald Trumpin. Ata zemërohen kur rivali i vetëm i Francës si lidere e “Perëndimit të vogël”, Britania e Madhe, tregon bisedat e saj me Kievin. Ata nuk mendojnë se është vendi për një “konkurs bukurie”.

Por Franca mund të udhëheqë, vetëm nëse e ndjekin të tjerët. Përgjigja e Evropës Lindore ndaj armiqësisë së re Macron ndaj Rusisë është përafërsisht e tillë: “Ju dhe ushtria e kujt?”.

Vende si Polonia nuk mund të presin vite të tëra, për të parë nëse Evropa mund të ndërtojë mbrojtjen e saj. Ato kanë nevojë tani për mbrojtje, dhe shpresojnë që Trump të vazhdojë t’ua sigurojë atë. Evropiano-lindorët, kujtojnë gjithashtu se Franca u largua nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s nga viti 1966 deri në vitin 2009, dhe flirtoi me Putinin edhe pas shkurtit 2022.

Evropianët nuk kanë besim tek prioritetet e një vendi, që deri vonë luftonte në Afrikë, dhe që e quante veten një “fuqi indo-paqësore”. Një kolonel francez, më tha se Franca ende nuk është e sigurt nëse lufta për Ukrainën është në interesin e saj kombëtar. Zyrtarët francezë shqetësohen më shumë për rishfaqjen e ISIS-it në Siri, apo pasojat e luftës në Gaza tek një vend me popullsinë më të madhe myslimane dhe hebreje në Evropë. Presidenti i ardhshëm i Francës mund të shqetësohet edhe më pak për Ukrainën.

Admiruesja e dikurshme e Putin, Marine Le Pen, udhëheqëse e ekstremit të djathtë, mund ta pasojë Macronin në vitin 2027. Në vitin 2022, ajo garoi për presidente duke mbrojtur lidhjet më të ngushta midis NATO-s dhe Rusisë, dhe duke premtuar se do të largohej nga komanda ushtarake e NATO-s, megjithëse tani partia e saj thotë se kjo nuk zbatohet në kohë lufte.

Vetëm në vitin 2023, partia e saj arriti të shlyente një hua nga bankat ruse të ndërmjetësuar nga Kremlini. Nuk mund ta udhëheqësh Perëndimin, nëse mund ta braktisësh atë. SHBA-ja nuk është i vetmi vend që mund të ndryshojë papritur pikëpamje mbi Putinin. Tek e fundit, Franca e ka bërë një herë këtë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit