Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi, edhe pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata. Për këtë arsye, ndaj tij mund të shqiptohet një gjobë, por edhe mund të merret një masë arresti.
Avokatët dhe ekspertët ligjorë vlerësojnë se nëse vendoset për arrestimin e tij, mbrojtja e afërt nuk mund ta pengojë atë, pasi urdhri i Gjykatës është obligativ për secilin, përfshirë zyrtarët e lartë si kryeministri Kurti.
Mbrojtja e afërt, e cila është e pranishme pranë kryeministrit për të siguruar jetën dhe sigurinë e tij, nuk ka asnjë mundësi për të penguar ekzekutimin e urdhërave të ligjshëm të Gjykatës, siç është një urdhër arresti për mos paraqitjen e Kurtit në Prokurorinë Speciale.
Avokati Naim Rudari ka theksuar se mandati i mbrojtjes së afërt është për ruajtjen e sigurisë së kryeministrit vetëm në rast të kërcënimeve, ndërsa në rast të urdhrit të ligjshëm të Gjykatës, ky urdhër është i detyrueshëm dhe duhet zbatuar.
“Mbrojtja e afërt nuk mund ta mbrojë kryeministrin nga urdhërat e ligjshëm të Gjykatës. Pra urdhëri i Gjykatës është obligativ për të gjithë e sidomos për ata që ju drejtohet, në këtë rast nëse Gjykata lëshon urdhër për sjelljen e tij forcërisht në Prokurori apo burgosjen e tij sepse kështu parashihet ligjërisht nuk ka shumë alternativa pra Ligji ka paraparë që të burgoset dhe nëse ai refuzon, nëse ai sillet në Prokurori dhe pranon që mund të deklarohet atëherë mund të vazhdojë deklarimin e tij dhe të lirohet..”, tha ai.
Po ashtu, avokati Xhevdet Smakiqi vlerëson se nëse Gjykata lëshon urdhër për paraburgim, Policia do të jetë e detyruar ta zbatojë, pa asnjë pengesë nga mbrojtja e afërt e kryeministrit.