Sunday, October 13, 2024
spot_img

A duhen marrë seriozisht kërcënimet bërthamore të Putinit? Çfarë na tregon historia

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, Vladimir Putin ka folur disa herë për përdorimin e armëve bërthamore. Por vëmendja fillestare dhe shqetësimi që përcollën mediat globale kur presidenti rus foli për herë të parë mbi këtë çështje në shtator 2022, u duk sikur u zbeh gjatë 2 viteve që pasuan.

Dhe kjo ndoshta për shkak të shpeshtësisë me të cilën ai ka kërcënuar ta përdorë arsenalin bërthamor të Rusisë. Tani Putin ka bërë kërcënimin e tij më të fortë, duke thënë se Moska do të përdorë armë bërthamore kundër çdo vendi që e sulmon, madje edhe me armë konvencionale (jo bërthamore).

Kjo deklaratë, duket se synonte të ndikonte mbi debatin që po zhvillohej në Kombet e Bashkuara, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përpoq të bindë aleatët perëndimorë të vendit të tij, që ta lejojnë Ukrainën të përdorë armët që i kanë dërguar kundër objektivave brenda Rusisë.

Kjo çështje ka qenë deri më sot një “vijë e kuqe”, të cilën aleatët e Ukrainës nuk kanë qenë të gatshëm ta kapërcejnë. Megjithatë, kjo qasje mund të ndryshojë, dhe reagimi i Rusisë ka qenë përsëritja e kërcënimit bërthamor.

Për ata që janë të interesuar në studimin e propagandës, kërcënimet e Putin duket se kanë kaluar nga ajo që studiuesi amerikan i medias Dan Hallin e quan “sfera e polemikave legjitime”, ku vlefshmëria e një deklarate debatohet me shpejtësi nga gazetarët, politikanët dhe studiuesit, tek “sfera e konsensusit”, ku ka një marrëveshje të gjerë mbi kuptimin e mesazhit.

Kjo zakonisht sjell një vëmendje më të pakët. Të besosh se Putini nuk është serioz për përdorimin e armëve bërthamore është një supozim i rrezikshëm. Por le të shqyrtojmë më në detaje marrëdhëniet politike dhe publike me armët bërthamore.

Shumica e të rriturve janë të vetëdijshëm mbi ekzistencën e armëve bërthamore, dhe i kuptojnë pasojat e përdorimit të tyre. Të paktë janë aaë që nuk e njohin fuqinë e tyre të jashtëzakonshme. Por asgjësimi global është një skenar shumë i tmerrshëm për t’u menduar gjatë gjithë kohës, përveç një momenti të shkurtër.

Ndaj ne priremi të fokusohemi tek një e ardhme më pak katastrofike. Por këto mohime dhe vetë-mashtrime të vazhdueshme, ndikojnë tek pikëpamjet politike. Shpeshherë, udhëheqësi i një vendi me armë bërthamore, pyetet nga një gazetar apo politikan i  ndonjë vendi tjetër mbi gatishmërinë e tij për të shtypur butonin bërthamor.

Ata përgjigjen gjithnjë me “Po”. Kur kjo pyetje i bëhet para ndonjë auditori, pasohet zakonisht nga duartrokitje entuziaste. Duartrokitja  e vullnetit të një politikani për të shkaktuar fundin e kësaj bote, është me gjasë prova më bindëse e dualitetit që ekziston në lidhje me kërcënimin e luftës bërthamore.

Në vend se ta perceptojë një përgjigje të tillë si një sinjal shqetësues, se një maniak paska arritur të depërtojë deri tek postet më të larta ndaj duhet të largohet menjëherë, votuesi e interpreton fjalën e tij si një tregues të forcës së lidershipit. Psikologjikisht, mund të argumentohet se duartrokitjet përfaqësojnë në fakt një lehtësim se ky vetë-mashtrim i madh mund të vazhdojë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, propaganda zyrtare i kushtoi një rëndësi të madhe kërcënimit dhe gatishmërisë për një sulm bërthamor  nga armiku. Filmi i BBC “Threads” (Kërcënimet) u transmetua për herë të parë 40 vjet më parë, në shtator 1984.

Ai përshkruan pasojat e një sulmi bërthamor dhe nxiti një alarmin të madh tek publiku britanik, teksa mediat në përgjithësi, kinemaja madje edhe letërsia zyrtare, ishin të fokusuara tek kërcënimi i një lufte bërthamore. Midis viteve 1974-1980, qeveria britanike botoi një broshurë me titull “Mbrohuni dhe mbijetoni”, shoqëruar me filma të shkurtër.

BBC si një media publike, transmetoi programe dokumentare, duke përfshirë atë të vitit 1980 “Nëse shpërthen bomba”. Edhe studimi i vitit 1957 i Henry Kissinger, që më vonë do të bëhej Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, “Lufta bërthamore dhe politika e jashtme”, shkaktoi jo pak alarm, për shkak të argumentimit të tij se mund të jetë e mundur një luftë bërthamore në shkallë të vogël duke përdorur armë të “fushës së betejës”.

A duhen marrë seriozisht kërcënimet bërthamore të

Komunikime të tilla gjatë luftës së ftohtë, shërbyen për ta përqendruar mendjen e publikut drejt kërcënimit të sulmit bërthamor mbi çdo lloj frike tjetër. Dhe ndoshta në atë kohë, ata kishin të drejtë ta bënin këtë. Por tashmë kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe theksi brenda asaj që njihet si “propaganda e frikës”, fokusohet tek kërcënime të tjera, si ekstremizmi, pandemitë dhe migrimi.

Ndaj kërcënimet bërthamore të Putinit, u ofrojnë analistëve të propagandës si unë, një rast studimi rreth rolit të rëndësishëm që luan propaganda e frikës në përcaktimin e asaj që i frikësohen njerëzit. Nëse kjo deklaratë analizohet brenda historisë më të gjerë të frikës nga Holokausti Bërthamor, është e qartë se liderët politikë nuk mund të mbështeten vetëm tek fjalët e tyre për t’u marrë seriozisht nga publiku.

Ata kërkojnë një mjedis propagandistik mbështetës më të gjerë, siç ishte atmosfera e krijuar në kulmin e Luftës së Ftohtë. Pyetjet se si të kuptohen kërcënimet bërthamore të Putinit, duhet të pozicionohen si të fundit në një listë të gjatë (ish) liderësh botërorë, të cilat janë përpjekur ta bindin publikun global mbi gatishmërinë e tyre për të kryer një gjenocid bërthamor.

Për shembull, Richard Nixon, përdori atë që u njoh si taktika e “të çmendurit”, kur u përpoq t’i bindte njerëzit mbi gatishmërinë e tij për të shtypur butonin e kuq. Është interesant fakti që përshkrimet më të fundit të Putinit, Kim Jong-un dhe liderëve të tjerë autoritarë si të “çmendur” nga ana e mediave perëndimore, mund t’i ndihmojnë ata që të lënë në plan të dytë faktin tjetër, që aftësitë ushtarake të vendeve të tyre janë inferiore në krahasim me ato të aleatëve të NATO-s.

Gjithsesi, mos mendoni për asnjë moment se ndonjë nga këto diskutime e rrit apo e zvogëlon kërcënimin aktual që vjen nga armët bërthamore. Në të vërtetë, midis politikanëve, gazetarëve dhe ekspertëve të tjerë, dominon mendimi se për shkak se lufta bërthamore nuk ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, ajo nuk ka gjasa të ndodhë tani.

Por kjo nuk mund të jetë një garanci. Mund të ndodhë që këto përfundime të jenë bazuar gabimisht në intensitetin e mjedisit propagandistik, dhe jo në aktualitetin e kërcënimit të paraqitur. Prandaj, duhet të mos harrohet se aftësia për të shtypur butonin, është brenda kapacitetit të mendjes njerëzore normale.

Presidenti i SHBA-së Harry S.Truman, e shtypi butonin në vitin 1945. Më pas atij iu dhanë raporte të detajuara të vdekjeve dhe shkatërrimeve që i shkaktoi Hiroshimës vendimi i tij. Por 3 ditë më vonë, ai e shtypi sërish butonin për të asgjësuar Nagasakin./Përshtatur nga “The Conversation”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit