Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit mund të jenë përcaktuese edhe për një primat tjetër përpos atij të partisë fituese. Kandidati për kryeministër nga radhët e LVV-së, Albin Kurti, mund të bëhet kandidati më i votuar në histori të zgjedhjeve në Kosovë.
Kur janë numëruar rreth 99.96% të votave, Albin Kurti ka 290 mijë e 729 vota. Numër ky i konsiderueshëm, por jo edhe i mjaftueshëm për të dalë si kandidati më i votuar në Kosovë.
Megjithatë, renditja mund të ndryshojë me numërimin e votave të diasporës dhe atyre me kusht.
Vjosa Osmani, kandidate nga radhët e Listës Guxo në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 kishte arritur të marrë mbi 300 mijë vota në kuadër të listës së Vetëvendosjes.
Osmani ishte shpallur si kandidatja më e votuar në histori të zgjedhjeve. Ajo kishte marrë një total prej 300 mijë e 756 votave.
Pas katër viteve, primatin e Vjosa Osmanit pritet ta marrë kryeministri aktual, Albin Kurti.
Liderit të Vetëvendosjes i nevojiten vetëm edhe 10 mijë e 27 vota për ta kaluar Osmanin, si kandidaten më të votuar në histori të zgjedhjeve.
Në kohën kur zgjedhjet organizoheshin me lista të mbyllura e ku votat që merrte partia i shkonin drejtpërdrejtë liderit të partisë, rekordin e njeriut më të votuar në Kosovë e mbante ish-presidenti historik dhe themeluesi i LDK-së, Ibrahim Rugova.
Në zgjedhjet e vitit 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që të mbledhë 359 mijë e 851 vota, apo 45.65%.
Asokohe Ibrahim Rugova pati lënë prapa Hashim Thaçin dhe PDK-në që morën 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn me AAK-në që mori rreth 62 mijë vota.
Deri në certifikimin e zgjedhjeve kanë mbetur pa numëruar edhe votat me kusht, votat e diasporës si dhe votat e personave me nevoja të veçanta.