Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk i dinte arsyet e mungesës së kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin e thirrur të mërkurën për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta me liderët e partive politike.
Pas takimit, në një konferencë për media, Osmani u ka sugjeruar gazetarëve të shkojnë ta pyesin vetë Kurtin për mungesën.
“Siç e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh. Nënkryetari Glauk Konjufca ka shprehur gatishmëri të plotë të vijë në takim. Por pasi partitë kanë qenë vetëm në nivel kryetarësh, e kemi mbajtur parimin për të gjithë dhe Konjufca me mirëkuptim e ka zbatuar. Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni drejtpërdrejt atë, po supozoj se është në zyrë. Kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, ka thënë Osmani.