Të gjitha prodhimet kosovare do të duhet të paguajnë 10 për qind taksë për eksport në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke filluar nga e shtuna.
Më 5 prill pritet të hyjnë në fuqi tarifat bazë të ShBA-ve prej 10 për qind ndaj një sërë shtetetesh, përfshirë edhe Kosovën.
Më së shumti, nga kjo taksë, do të preken industritë e dyshekëve dhe të modës, bazuar në të dhënat publike pranë Doganës së Kosovës.
Sipas të dhënave të eksportit të doganës për vitin 2024, Kosova rezulton të ketë një deficit tregtar në vlerë rreth 70 milionë euro me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova, eksporton nga ShBA-ja në vlerë 106 milionë euro ndërsa eksporton në vlerë 39 milionë euro.
Peshën kryesore të importeve të ShBA-së nga Kosova në vitin 2024 e mbajnë dyshekët dhe fustanet për gra.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Kosova ka eksportuar në ShBA dyshekë prej materialesh të ndryshme nga goma apo plastike në vlerë mbi 11 milionë euro. Prodhuesi kryesor është kompania me bazë në Gjakovë, Comodita Home.
Ndërkaq, produkti i dytë me më së shumti vlerë eksporti nga Kosova në ShBA janë fustanet, një industri kjo e zhvilluar në Kosovë sidomos fal dizajnerit të njohur tashmë në rang ndërkombëtar, Valdrin Sahitit.

Të dhënat e doganës, tregojnë se fustanet për gra dhe vajza të prodhuara nga sibrat sintetike janë eksportuar në vlerë rreth 2.2 milionë euro gjatë vitit 2024.
Ndërkaq, produktet që ShBA-ja eksporton në Kosovë përfshijnë naftën e gazit si produkt kryesor, koksin e naftës, si dhe medikamente të dorëzuar për shitje me pakicë, tregojnë të dhënat e Doganës së Kosovës për vitin 2024.
Në vitin 2024, eksportet e ShBA-së në Kosovë arrijnë shumën e 106 milionë eurove në total.
Të dhënat e doganës tregojnë se eskportet e naftës së gazit arrijnë vlerën e mbi 26 milionë eurove.

Presidenti amerikan Donald Trump rezervoi tarifa më të larta për Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën e Maqedoninë e Veriut.