Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjes së policit në Kaçanik.
“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini, prokurori i çështjes z.Ismet Rrahmani, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Konferenca do të mbahet nga ora 14:30, në objektin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kati i dytë, salla e takimeve nr. 315.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, është vrarë në orët e vona të së martës së 1 prillit, në qytetin e Kaçanikut.
Hetimet për këtë rast kanë nisur, por nuk dihen rrethanat e ngjarjes ende.
Gazeta përmes burimeve të saja ka marrë vesh se personi që po kërkohet është përreth 17-vjeçar (moshë e mitur), teksa inicialet e tij janë L.B.
Personi në fjalë është ende në arrati për ngjarjen e mbrëmshme që tronditi vendin.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt mbrëmë për media bëri të ditur se në vendngjarje kanë arritur njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, i cili ka transportuar viktimën në Qendrën e Mjekësisë në Kaçani, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, gjë që është konfirmuar nga mjekët.
“Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacione lidhur me të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti”, ka bërë të ditur ai.