Kaçaniku është tronditur mbrëmjen e së martës, rreshter i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika është vrarë derisa po hynte në banesë.
Sipas raportit të policisë, fillimisht ishte raportuar për një një person të plagosur, njësitë policore i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se viktima mashkull kosovar (zyrtar policor ) është pa shenja jete.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse nga të gjitha njësitë relevante policore si dhe prokurori me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
I dyshuari për vrasjen ndodhet ende në arrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, e konfirmoi lajmin duke shtuar se motivet e krimit ende nuk janë të qarta.
“Jemi duke punuar intensivisht, ende nuk ka diçka të re”, tha ai shkurt.